Në ditën e tij të parë të vizitës në institucionet e Bashkimit Europian, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u takua me Presidentin e Këshillit të Bashkimit Europian, Donal Tusk.

Në deklaratën e përbashkët për shtyp, Presidenti Nishani vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve të BE për Shqipërinë, duke shprehur bindjen se finalizimi i Reformës në Drejtësi do të hapë dritën jeshile për negociatat e anëtarësimit.

“E informova Presidentin Tusk mbi ecurinë e procesit të reformave dhe vëmendjen time personale dhe institucionale, veçanërisht ndaj Reformës në Drejtësi dhe domosdoshmërisë së ruajtjes së vëmendjes edhe ndaj standardeve të të drejtave të njeriut dhe çështjes së respektimit të pronës. Shpreha besimin se me finalizimin e Reformës në Drejtësi, Bashkimi Evropian do të mbështesë negociatat e aderimit për Shqipërinë”.

“Me Presidentin Nishani biseduam mbi reformat e rëndësishme që ka ndërmarrë vendi, veçanërisht për atë të sistemit të Drejtësisë. Po ashtu, me rëndësi të të njëjtit nivel janë edhe lufta kundër korrupsionit. Jam i bindur se me vullnet politik do të arrihet edhe zbatimi i reformave”.

Edhe takimi me Presidentin e Parlamentit Europian, Martin Shulc u fokusua te reformat. Ai e inkurajoi kreun e shtetit shqiptar për rolin e ndjekur në dialogun politik.

“Zoti President, ju falenderoj për bisedën që shkëmbyem mbi hapat e nevojshëm për reformat në vend. Për pavarësinë e gjyqësorit, dhe dialogun politik në parlament midis partive që janë pika të rëndësishme”.  

“Informova Presidentin Shulc për progresin e reformave të procesit të integrimit dhe vëmendjen personale dhe institucionale në veçanti për Reformën në Drejtësi dhe nevojën për të ruajtur standardet e të drejtave të njeriut dhe çështjet e të drejtave të pronës”.

Nishani tha se Shqipëria do të japë mbështetjen e saj në krizën e refugjatëve në bazë të kapaciteteve të saj. Të enjten, Presidenti shqiptar do të pritet në një takim nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO –s, Jens Stoltenberg.

Tv Klan