Manjola dhe Ezdalin rrëfejnë historinë e dashurisë

Në programin “Rudina” në Tv Klan ka qenë i ftuar çifti shumë i dashur për publikun, Manjola Hasani dhe Ezdalin Gorani. Ata janë balerinë, koreografë dhe së fundmi, Manjola është edhe drejtuese e trupës së baletit në Teatrin e Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Ata në studio kanë folur më tepër për punën e tyre në teatër, por edhe historinë e dashurisë dhe marrëdhënien me dy fëmijët.

Manjola dhe Ezdalin kanë dy fëmijë së bashku, një vajzë 9 vjeçe me emrin Olesia dhe një djalë 2 vjeç me emrin Oen.

Historia e tyre e bukur e dashurisë ka nisur tek shfaqja në teatër me baletin ‘’Hirushja’’, ku ata luanin rolin e mbretit dhe mbretëreshës.

Ezdalin: Ne kemi qenë mbrapa kuintave, siç rrinë balerinët kur presin momentin e tyre dhe aty nisi diçka, domethënë nisi si shaka.

Manjola: Si një lojë nisi, por doli tjetër gjë…

Ezdalin: Vazhduam pastaj.. avancuam.

Ata kanë qenë miq që në moshën 10-vjeçare dhe më pas edhe në shkollë. Ezdalini e pëlqente atë, por nuk guxonte t’ia shprehte ndjenjat që kishte për të, se ajo ishte më e tërhequr.

Ezdalin: Nuk kisha guxim, ka qenë pak natyrë e sertë. Pastaj rrugës, Ola filloi ta përpunonte këtë ide. Se ne kemi qenë në një klasë bashkë, shokë klase. Që nga 10 vjeç deri në një farë moshe, pastaj ndodhi kjo… Unë e kam pasur më të vështirë, ajo e ka pasur edhe më të vështirë, ta pranonte këtë histori.

Manjola: Nuk doja të prishja një shoqëri që kishim ne të dy, ishim shumë shokë. Ndoshta, nëse nuk do të funksionojë si marrëdhënie do të humbisja dhe një shok. Dhe unë jo vetëm që nuk e humba shokun, por fitova dhe shokun e jetës.

I pyetur nga moderatorja se çfarë i ka bërë përshtypje tek Manjola, Ezdalin shprehet: Pamja, edhe natyra e Olës, e rezervuar, korrekte, serioze, natyrën strikte siç është. Sepse vetë kam qenë shumë i shpërndarë, tani jam mbledhur pak, por nga mënyra si i bëj gjërat jam pak impulsiv, por Ola është e kundërta ime. Të dy bashkë bëjmë një njeri të lezetshëm.

Ndërsa nga ana tjetër, Manjola tregon se çfarë i ka bërë përshtypje tek Ezdalini.

Të them të drejtën, nismat. Është një person që merr nisma, ka guxim shumë, ka dhe besim tek vetja dhe kjo të jep siguri. Kjo më ka tërhequr mbi të gjitha përveç pamjes./tvklan.al