Ekonomi: Zero dokumente, vetëdeklarim online te e-Albania

Duke nisur nga 15 Janari, 50 mijë fermerë të regjistruar dhe që disponojnë një NIPT të aktivitetit të tyre, mund të aplikojnë në portalin e-Albania për të përfituar kartën, e cila do t’u japë atyre të drejtën të marrin naftën pa pagesë.

Në një intervistë për televizionin Klan, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi thotë se edhe fermerët e paregjistruar mund të pajisen me NIPT dhe të aplikojnë, ndërsa kusht mbetet dokumenti i pronësisë ose marrjes me qira të tokës, sipërfaqja e mbjellë duhet të jetë më e madhe se 0.1 hektarë dhe në bazë të kulturës do të jetë algoritmi në portal që do të llogarisë sasinë e naftës që përfitojnë për të gjithë.

“Aplikojnë fermerët që kanë NIPT. Skema do të asistohet në çdo moment në çdo territor të Shqipërisë nga agjencitë rajonale të ekstezionit bujqësor, nga agjencitë rajonale të AZHBR dhe nga agropikat. Aplikimi bëhet duke përdorur numrin tënd personal dhe pastaj duke hyrë te kategoria Biznese-Fermerë nëpërmjet NIPT-it”.

Aplikimet do të bëhen dy herë në vit për kulturat që mbillen në pranverë dhe vjeshtë, ndërsa fermerët kanë të drejtë të aplikojnë deri më 25 Shkurt. Pas aplikimit online, brenda 30 ditëve agjencitë bujqësore rajonale do t’u dorëzojnë kartën me naftë falas.

“Në të gjithë territorin e Shqipërisë duhet të ketë 61 pika kompania që do të shpërndajë naftën në territor. Ka një pike që i shërben fermerit për të marrë me kartë falas naftën që i takon përmes kulturave”.

Perimet, drurorët, bimët arrore e ato medicinale dhe perimet fushore janë kulturat që do të përfitojnë nga skema e subvencioneve.

 “Të gjitha këto verifikohen duka ia kthyer informacionin arebeve, të cilat janë të specializuara për të bërë këtë kontroll”.

Qeveria ka vendosur të heqë akcizën 37 Lekë për litër, taksën e qarkullimit 27 Lekë për litër dhe atë të karbonit 3 Lekë për litër, ku nëse i shtohet në fund edhe tatimi mbi vlerën e shtuar mbi këto taksa, fermerët, që sot e blejnë 160 Lekë litrin, do ta marrin me 70 Lekë.

Gjysmën e sasisë që nevojitet për kulturën e tyre do ta marrin me çmim të plotë, e gjysmën falas përmes kartës. Fatura në buxhet për këtë lehtësi është 10 milionë Dollarë, ndërsa në të ardhmen mendohet që nga kjo skemë të përfitojnë 70 mijë fermerë.

Tv Klan