Raportohet se prokurorët francezë kanë nisur hetimet kundërterroriste lidhur me përpjekjen e një personi me thikë që tentoi të hynte me forcë në Kullën Eiffel në Paris mbrëmjen e djeshme. Në këtë incident askush nuk ka pësuar lëndime.

I dyshuari, i cili është i arrestuar, u ka thënë hetuesve se dëshironte të kryente sulm kundër një ushtari dhe ishte në kontakt me një anëtar të grupit ekstremist, Shteti Islamik, i kanë thënë sot agjencisë AFP burime të afërta me këtë rast.

Personi i dyshuar, i moshës 19 vjeçare, ka histori të problemeve psikike. Raportohet se ai është me shtetësi franceze i lindur në Mauritani të Afrikës Perëndimore.

Në kohën e incidentit, Kulla Eiffel ishte e ndriçuar me ngjyrat e klubit të futbollit, Paris Saint-Germain.

Prej sulmeve të nëntorit të vitit 2015 në Paris, nga të cilat u vranë 130 vetë, në Francë ende mbretëron gjendje e jashtëzakonshme. /REL