U kërkoi bizneseve të thyejnë ligjin dhe të hapin aktivitetin

Emisioni “Stop” në Tv Klan denoncoi një ditë më parë koncesionarin e Aeroportit të Tiranës, pasi drejtuesi ekzekutiv Constantin Alvensleben detyron bizneset në terminal që të qëndrojnë hapur, në kundërshtim me urdhrat e qeverisë gjatë periudhës së pandemisë.

Në datën 12 Mars, bizneset që operojnë në aeroportin “Nënë Tereza” u mbyllën pasi morën urdhër nga Policia e Shtetit.

Por në të njejtën datë, me anë të një shkrese, TIA (Tirana International Airport) u rikujtoi këtyre bizneseve kontratën që i detyron të qëndrojnë hapur, në shkelje të vendimit të policisë dhe qeverisë.

Emisioni “Stop” i disponon këto shkresa, ku faktohet komunikimi i drejtorit ekzekutiv Constantin Alvensleben me dyqanet që funksionojnë në terminalin e aeroportit, të cilave u kërkon që të qëndrojnë hapur.

Por pas denoncimit të emisionit investigativ “Stop”, autoritetet shqiptare janë vendosur në lëvizje. Prokuroria e Tiranës do të nisë hetimet për aktin e drejtorit ekzekutiv të koncesionarit të aeroportit, që ka detyruar bizneset në terminal të qëndrojnë hapur.

Gazetari i emisionit “Stop” ka dorëzuar në organin e akuzës të gjitha dokumentet kompromentuese të titullarit të TIA-s. /tvklan.al