Një fotografi e shpërndarë në mediat sociale që thuhet se i përket trupit të futbollistit Emiliano Sala, ka bërë që policia të nisë hetimet. Trupi i 28-vjeçarit u gjet në rrënojat e avionit të rrëzuar në fund të detit pranë brigjeve franceze. Aksidenti ajror ndodhi më 21 Janar 2019, ndërsa dy javë më vonë gjatë kërkimeve u publikua një foto e trupit të futbollistit.

Një zëdhënës i policisë britanike të Dorset tha:

“Jemi të vetëdijshëm se një foto e trupit të z.Sala është shpërndarë në mediat sociale. Është një periudhë e vështirë për familjen e z. Sala dhe nuk mund të përballojnë dhimbje të tjera nga ky veprim i turpshëm. Ne jemi duke hetuar për këtë incident dhe po punojmë së bashku me disa agjenci për të zbuluar se si është marrë kjo fotografi dhe kush është përgjegjës”.

Sulmuesi argjentinas Emiliano Sala po udhëtonte me një avion të vogël drejt Cardiff kur ndodhi aksidenti ajror dhe aeroplani u rrëzua në det. Trupi i pilotit të avionit nuk është gjetur. Dy ditë më parë u njoftua se babai i futbollistit kishte humbur jetën si pasojë e një ataku në zemër, duke shtuar dhimbjen në familjen Sala. /

tvklan.al