Projekti për rehabilitimin dhe devijimin e lumit të Lanës për efekt te ndërtimit të Unazës së Madhe në zonën e Astirit do te jetë subjekt i një hetimi penal.

Një oficer i prokurorisë së Tiranës është paraqitur këtë të mërkurë pranë autoritetit rrugor ku ka sekuestruar planin e studimit për këtë devijim dhe  projektin aktual, i cili pritet të vihet në zbatim.

Gjithashtu oficeri ka kërkuar informacion nëse ka patur plan të mëparshëm për ndërtimin e këtij projekti dhe cili ka qenë ai.

Këto dokumente të kërkuara nga ARRSH do t’i bashkëngjiten dosjes hetimore që prokuroria po kryen për tre lotet e ndërtimit të Unazës së Madhe, ku loti i parë u fitua nga kompania “DH Albania” me dokumente të falsifikuara.

Edhe për dy lotet e tjera janë ngritur pretendime pasi ka dyshime se tenderi ka qenë fiktiv. Njëra nga kompanitë që ka marrë pjesë “Vëllezërit Hysa ” nuk ka bërë ofertë, duke u paracaktuar në këtë mënyrë fituesin. Partia Demokratike në daljet e saj ka denoncuar se devijimi i lumit të Lanës është një aferë korruptive pasi është bërë për të favorizuar biznesmenin Edmond Bego.

Sipas PD nga projekti i mëparshëm prekej toka ku Bego do të ndërtojë një kompleks pallatesh me vlerë 60 milionë euro. Për këtë arsye u devijua Lana dhe do të prishen shtëpitë e qindra qytetareve, të cilët janë vendosur aty prej më shumë se 20 vitesh.  Prokuroria e Tiranës që po heton skandalin e unazës së re është në pritje të letër-porosive nga shteti i Delawer aty ku është themeluar kompania mëmë e “DH Albania”. Kjo firmë me përfaqësues 26-vjeçarin Avdjol Dobi dhe me dokumente të falsifikuara arriti të fitoje dy tendera me vlerë 30 milion euro nga shteti shqiptar. Ndërsa Dobi ende nuk është paraqitur ne Prokurori edhe pse ka marrë një thirrje për të dhënë sqarime.

Tv Klan