Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet për rrjedhje informacioni një ditë pas operacionit të SPAK të koduar “Plumbi i artë”, që u finalizua me arrestimin e 18 personave ku u goditën 8 grupe kriminale që vepronin në Elbasan, Tiranë dhe Durrës.

Në një njoftim për mediat, AMP bën me dije se po verifikohet nëse ka patur dekonspirim, pasi 14 persona të tjerë nuk u arrit që të kapeshin dhe janë shpallur në kërkim, mes të cilëve ka emra të njohur të përfolur si të përfshirë në ngjarje kriminale.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po verifikon çdo dyshim nëse ka patur rrjedhje informacioni, gjatë operacionit të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia e Shtetit, në kuadër të procedimit penal nr.75/2022, përmes të cilit u caktuan dhe ekzekutuan masat e sigurimit personal të karakterit shtrëngues “Arrest në burg” për 32 shtetas, mes tyre edhe një punonjës policie. Në përfundim të këtij operacioni, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore siguron opinionin publik dhe mediat se do të hetojë me seriozitetin maksimal çdo dyshim për rrjedhje të mundshme të informacionit nga punonjës të policisë, si edhe çdo përfshirje nëse ka, në aktivitete të paligjshme”, thuhet në njoftimin e AMP.

Arrestimet e djeshme erdhën si pasojë e dëshmisë së Nuredin Dumanit, i cili ka zbardhur disa ngjarje të bujshme kriminale duke përmendur emra konkretë që kanë porosituar vrasje, ekzekutorët dhe shumat e parave që janë ofruar. /tvklan.al