Ceremoni speciale hapëse në stadiumin Olimpik të Tokios, parakalojnë 162 delegacione

Lojërat para-Olimpike nisën zyrtarisht pas ceremonisë hapëse plot shkëlqim që u mbajt në Tokio. Pavarësisht se nuk kishte spektatorë në ceremoni për shkak të masave anti-Covid, stadiumi Olimpik u mbush plot dritë për të shënjuar nisjen e eventit.

Me qindra atletë përfshirë edhe anëtarë të ekipit paraolimpik të refugjatëve parakaluan në stadium ndërsa nga e mërkura nisin garat mes sportistëve.

Atmosfera në qytet ishte unike e gjithashtu spektakël dhuruan edhe forcat ajrore japoneze.

Ceremonia u hap nga Perandori i Japonisë Naruhito, me moton “Ne Kemi Krahë”.

Në ceremoninë hapëse parakaluan delegacione nga 162 vende. Edhe flamuri i Afganistanit ishte prezent,  ndërsa mbahej nga një vullnetar pa sportistët të pranishëm. Numri i sportistëve pjesëmarrës është 4400 e do të garojnë në 22 sporte.

Organizatorët e lojërave para-Olimpike dhe të qeverisë vendore në Tokio janë në presion për shkak të rritjes së numrit të të prekurve me COVID-19.

Që nga nisja e olimpiadës më 23 Korrik, rastet ditore të të infektuarve janë shtuar me katër herë më shumë. Eventi përfundon më 5 Shtator.

Klan News