Kalimi i qytetarëve me certifikatë vaksinimi ose test PCR

Prej kësaj të mërkure kanë nisur të zbatohet masat e reja për hyrjen në Maqedoninë e Veriut që prekin edhe qytetarët shqiptarë. Në çdo pikë kufitare udhëtarët duhet të jenë të pajisur me pasaportë vaksine ose test PCR negativ të 72 orëve të fundit.

Hyrja në fuqi e masave të reja kufizuese solli reduktim të ndjeshëm të lëvizjeve ndërkufitare në doganën e Qafë Thanës. Gjatë paradites drejt Maqedonisë së Veriut udhëtuan pak qytetarë, të cilët u paraqitën në kufi me pasaportë vaksinimi. Ata që kishin marrë vetëm një dozë vaksine u kthyen pas nga policia kufitare.

Edhe qytetarët që udhëtojnë tranzit për në Maqedoninë e Veriut duhet të plotësojnë deklaratën përkatëse në pikat e kalimit kufitar. Shtimi i rasteve të të prekurve me variantin Delta, detyroi autoritetet e vendit fqinj të kushtëzojë lëvizjen e qytetarëve nga vendet e tjera.

Tv Klan