Të enjten komisioni i ligjeve do të nisë procedurën për zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm. Ashtu si Tv Klan lajmëroi një ditë më parë ky komision është lajmëruar nga shërbimi i monitorimit të institucioneve të pavarura për vakancën e krijuar në krye të këtij organi pasi kryeprokurorit Adriatik Llalla i përfundon mandati te enjten e 7 Dhjetorit.

Në raportin që kjo drejtori i ka nisur kreut të kuvendit dhe me pas komisionit të ligjeve citohet dhe procedura ligjore që parashikohet për përzgjedhjen e zëvendësuesit të prokurorit në largim në rastin kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është ngritur ende.

Në dispozitat kalimtare të ligjit për funksionimin e prokurorisë parashikohet edhe ky rast, duke e zgjidhur ngërçin me përzgjedhjen e një prokurori të përgjithshëm të përkohshëm, i cili qëndron në detyre deri në zgjedhjen nga KLP të prokurorit të përgjithshëm me mandat 7-vjeçar.

Komisioni i ligjeve pritet që të vendosë një afat 5 ditore për depozitimin e dokumentacionit nga kandidatet që do të përfshihen në këtë garë dhe me pas do të zhvillojë seanca dëgjimore me të gjithë ata që plotësojnë kriteret e parashikuara në ligj.

Me pas kandidatura e përzgjedhur i kalon seancës për votim që në dispozitat kalimtare parashikohet të miratohet me një shumice të thjeshtë.

Zgjedhja e prokurorit të përgjithshëm ka shënuar dhe përplasjen e radhës mes mazhorancës e cila mbështet zgjedhjen e një prokurori të përkohshëm dhe opozitës qe e kundërshton pasi e sheh si ngutje nga ana e socialisteve për të vendosur nën kontroll prokurorin e përgjithshëm.

/Tv Klan