Manastirliu: Angazhim maksimal, jeni krenaria jonë

Kanë nisur punën këtë të martë në spitalin e Breshias 10 mjekët që u dërguan në mision ndihme në Itali. Ndërsa 20 infermierët do të fillojnë punën të mërkurën të ndarë, sipas pavioneve ku janë nevojat. Në një komunikim me Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, mjekët kanë rrëfyer eksperiencën e tyre.

“Ne mjekët filluam të gjithë punë sot, infermierët do të fillojnë nesër. Reanimatorët kanë filluar punë në reanimacion, ndërsa unë me gjithë doktoreshën tjetër jemi tek repartet e COVID subintensiv, në repartet e pneumologjisë. Ndërsa doktoresha që vinte nga Instituti i Shëndetit Publik është tek tamponët me gjithë dy mjekë të tjerë. Ndërsa dy mjekë janë vendosur në triazhim. Edhe infermierëve u kanë përcaktuar vendet dhe po i pajisin me veshjet e duhura dhe nga nesër do të fillojnë shërbimin”, tha Ermal Pashai, një nga mjekët e dërguar në Itali në misionin humanitar.

Ministrja e Shëndetësisë shprehu mbështetje për misionin e tyre.

“Një këshillë kisha. E para forca dhe kujdes veten të gjithë ju, pra kujdes materialet e mbrojtjes personale, veshja e duhur për të mos rrezikuar veten. E dyta, ju jeni krenaria jonë, ne kemi besim tek ju dhe do të doja që nëpërmjet jush dhe gjithë ekipit tjetër t’ju uroja suksese në këtë mision humanitar”.

Grupi i mjekëve kanë kërkuar mirëkuptimin e mediave të cilave nuk mund t’ju përgjigjen për shkak të angazhimit të tyre.

Tv Klan