Balluku: Kompanitë kanë marrë masa për mbrojtjen e punonjësve

Në të gjithë akset rrugore që janë në ndërtim ka rinisur puna me orare të zgjatura, në mënyrë që veprat të përfundojnë sa më shpejt. Pas kufizimit të orareve të punës për më shumë se dy javë si pasojë e masave të marra nga pandemia Covid-19, puna në By Pass-in e Fierit ka rinisur me orare të zgjatura, ndërsa Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, tha se me të njëjtin ritëm po punohet edhe në akset e tjera.

“Qeveria ka marrë një vendim për të lejuar kantieret që të vazhdojnë punën. Ne po vazhdojmë punën kudo. Siç po vazhdojmë në By Pass-in e Fierit, ashtu dhe në Rrugën e Arbrit, ashtu dhe në By Pass-in e Tepelenës, në të gjitha segmentet e Kardhiq-Delvinës.”

Kompanitë kanë marrë masat e sigurisë për pajisjen e punonjësve me maska e doreza.

“Supervizori i ka dhënë trajnimin e duhur stafit dhe vazhdohet puna 14-15 orë në ditë.”

Kompanitë po hasin probleme me furnizimin me lëndë të parë për të vazhduar punën, për shkak të ngadalësimit të transportit në të gjithë globin. Pavarësisht vonesave të importeve, By Pass-i i Fierit do të përfundojë plotësisht brenda muajit Maj.

Tv Klan