Rama: Vepër historike për gjithë shqiptarët

Stuhia e erës dhe shiu ka shoqëruar hedhjen e themeleve të Aeroportit të Vlorës, fillimi i punimeve për të cilin u zgjodh enkas dita e festës së flamurit.

Aeroporti që do të ndërtohet nga në konsorcium kryesisht shqiptare, ku shumicën e ka kompania e ish-zv/kryeministri të Kosovës, Begjet Pacollin, parashikohet të  të jetë krejtësisht operacional pas 4 vitesh.

Pas përfundimit të punimeve aeroporti që do të jetë dhe shtëpia e “Air Albania”, linjës shqiptare të fluturimeve, operimi do t’i besohet ekspertëve të aeroportit të Mynihut.

Pasi përsërit se sa të rëndësishme janë projekte të tilla si aeroporti i Vlorës, i Kukësit dhe ai i Sarandës që është ende në letër, por dhe projektet e porteve për turizmin kryesisht, Rama i vlerëson si industri punësimi.

Një nga shtysat për të përshpejtuar nisjen e projektit të aeroportit ku do kryhen dhe fluturime transoqeanike, pranon se ishte padurimi i qytetarëve që e zgjodhën deputet për 2 mandate.

Në bazë të kontratës, kompanitë fituese do të investojnë 103.9 milionë euro dhe do të marrin për 35 vjet menaxhimin e tij. Kontrata parashikon qe buxheti i shtetit të garantojë të ardhurat minimale në 10 vitet e para për konsorciumin nëse do të jenë më të ulëta se 140 milionë Euro.

Vendndodhja e aeroportit është në zonën e Akërnisë në Vlorë, 10 minuta larg aksit kombëtar Levan-Vlorë.

Tv Klan