Mesdita e 17 Qershorit shënoi nisjen zyrtare të punimeve për Rrugën e Arbrit. Projekti i premtuar për dibranët nga të gjitha qeveritë mori udhë këtë të diel dhe pritet të përfundojë brenda tre viteve.

Ky investim infrastrukturor që kap vlerën e 240 milionë eurove parashikon shkurtimin e distancës nga Tirana në Dibër nga 180 në 69 km. Nga Bulqiza në kryeqytet rruga do të përshkohet për vetëm 40 minuta dhe nga Burreli për një orë. Projekti parashikon ndërtimin e disa urave dhe tuneleve si dhe përfshin degëzimin e Maqellarës dhe Klosit.

Në ceremoninë e inaugurimit të nisjes së punimeve të Rrugës së Arbrit, kryeministri Rama shpjegoi arsyet e vonesës në realizimin e këtij projekti teksa shigjetoi paraardhësin e tij në detyrë.

Prania e tij në Dibër u shoqërua edhe me protesta nga ana e opozitës, të cilat kryeministri nuk nguroi t’i ironizojë, së bashku me një koment të bërë nga ish –kryeministri Berisha në rrjetet sociale.

Akuza  në adresë të ish-kryeministrit Berisha për investimet në infrastrukturë, Rama bëri edhe gjatë një takimi që pati me banorë të Peshkopisë, teksa premtoi kthimin e vendit në një kantier ndërtimi për investimet në infrastrukturë.

Rruga e Arbrit pritet t’i japë një zhvillim ekonomisë dhe turizmit malor të kësaj zonë. Ajo do të sjellë po ashtu lehtësi në lëvizje edhe për banoret e Dibrës së Madhe.

Tv Klan