Borëpastrueset në terren, nuk ka akse të bllokuara

I gjithë territori i vendit është përfshirë prej pasdites së djeshme nga reshjet e shiut, ndërsa në zonat malore mbi 800 metra në veri, verilindje dhe juglindje reshjet kanë qenë në formën e dëborës.

Në Qarkun e Korçës, në akset turistike drejt Dardhës dhe Voskopojës trashësia e borës shkon deri në 5 cm, por rruga është e hapur dhe mund të kalohet pa vështirësi.

Gjithashtu edhe rrugët nacionale nuk kanë probleme për qarkullimin e automjeteve.

Në Qarkun e Shkodrës ka pasur reshje intensive dëbore në zonat malore, megjithatë akset Bogë-Theth dhe Tamarë–Vermosh janë të hapura.

Reshjet e borës janë rikthyer edhe në zonën e Dibrës. Fshatrat turistike të Radomirës, Lurës dhe Rabdishtit deri në lartësinë 1000 m mbi nivelin e detit janë zbardhur nga bora.

Edhe temperaturat janë ulur ndjeshëm, ndërsa qarkullimi i automjeteve vijon pa probleme.

Edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se mjetet borëpastruse dhe punëtorët e mirëmbajtjes janë në terren duke punuar pa ndërprerje, por u rekomandojnë drejtuesve të mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet ku ka prezencë bore dhe ngricash.

Klan News