Presidenti Ilir Meta dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha kanë uruar besimtarët myslimanë në prag të nisjes së muajit të shenjtë të Ramazanit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta uron agjërim të lehtë për të gjithë shqiptarët edhe pse në këto ditë të vështira. Ai bën thirrje për solidaritet kombëtar.

“Si asnjëherë tjetër me kurajo e solidaritet mbarëkombëtar ta përballojmë këtë sfidë të përbashkët dhe t’i gëzohemi lumturisë që na jep qëndrimi më shumë në shtëpi, pranë fëmijëve dhe prindërve tanë. Le të lutemi së bashku, larg fizikisht por pranë njëri-tjetrit me shpirt e zemër, dhe le të rizgjojmë ndjenjat më të bukura, të pastrojmë ndërgjegjet, të pendohemi për gabimet tona dhe të ndezim shpresat për ditët më të mira që patjetër do të vijnë! Për më shumë shpresë e besim, dashuri, paqe e kohezion social, vëllazëri, drejtësi e solidaritet! Sepse këto janë edhe mesazhet profetike që duhen përcjellë në këtë Muaj të Shenjtë”, shkruan Meta.

Edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha uron që sakrifica e agjëruese gjatë këtij muaji të shërbejë për lehtësimin e dhimbjeve dhe sporave me të cilat po përballën shqiptarët.

“Gjatë këtij muaji, sakrificës së agjërimit i shtohet edhe pamundësia për tu falur në xhamitë e mbyllura për shkak të pandemisë. Por shtëpitë dhe shpirtrat e besimtarëve do të përndriten nga lutjet ndaj Krijuesit të Plotfuqishëm, dhe zemrat do të dlirësohen nga agjërimi dhe thellimi në meditim. Zoti ju mbrojtë dhe ju dhëntë shpërblesë të shumëfishtë për sakrificën tuaj”, shkruan Basha./tvklan.al