Arben Malaj, për të cilin 28 deputetë socialistë kanë nisur procedurat e shkarkimit nga posti i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për shkelje të etikës së këtij institucioni, e cilëson si akt të pastër politik këtë nismë.

I kontaktuar nga Televizioni Klan, ai nuk pranoi të japë një intervistë përpara se të njihet zytarisht me këtë propozim. Por në një postim në Facebook, ish-ministri dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste thotë se forca politike, ku bënte pjesë e që edhe e propozoi në këtë post, i kishte dhënë më parë sinjalet se do të shkonte drejt këtij akti.

“Gjithë shqetësimet e mia për sfidat e Bankës së Shqipërisë që nga vetingu për bankierët miliarderë, të cilët i çuan kredite jo performuese të vendit deri në 50% të totalit, më lartë se në çdo vend tjetër dhe debatet për këtë në Bord janë të gjitha të dokumentuara në procesverbalet e mbledhjeve të Bordit. Kërcënimet paralajmëruese m’i ka dërguar Taulant Balla pas mospranimt të nderhyrjes së tij edhe me SMS, me rekomandime partiake në proceset e përzgjedhjes në Bordin e Bankës së Shqipërisë. Shqetësimi është i protokolluar në mbledhjen e Bordit të BSH”, shkruan Malaj.

Në kërkesën e deputetëve firmëtarë, që kryesohen nga Taulant Balla, mes argumentave të tjera nënvizohet se Malaj në intervista publike ka dhënë opinione politike, në mënyrë të veçantë përpara zgjedhjeve lokale, çka sipas tyre, bie ndesh me kodin e etikës së Bankës së Shqipërisë.

Por Malaj në sqarimin e tij shkruan se veprimi i mazhorancës, që sipas tij, është rasti i dytë pas një të ngjashmi në Turqinë e Erdoganit, është politik.

“Është akti i pastër politik sepse shkeljet etike materializohen me cënim të reputacionit apo efiçencës së Bankës së Shqipërisë, gjë që sipas vlerësimeve edhe të institucioneve ndërkombëtare, nuk konstatohen të tilla, por edhe në 7 mbledhjet e Bordit gjatë vitit 2019, pas mandatit të ri (mandati i parë ishte zëvendësues rreth dy vite) nuk ka asnjë shqetësim të shprehur ndaj meje për shkelje etike. Mbledhja e fundit ishte më 3 Korrik 2019”, shpjegon Arben Malaj.

Malaj paralajmëron se do të ngrejë një padi penale për çdo deputet që po abuzon, duke përkrahur këtë nismë.

Tv Klan