Ankesa është bërë nga një grup deputetësh të PD

28 deputetë të Partisë Demokratike kanë depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin si antikushtetues të vendimit të qeverisë për të sekuestruar katet pa leje. Në draft thuhet se akti normativ është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse cenon barazinë e shtetasve përpara ligjit, cenon hierarkinë e akteve normative dhe nuk është autorizuar nga ligji.

Në padi thuhet se nisma është në kundërshtim edhe me Kodin Penal, sepse u jep amnisti penale një kategorie personash, pa një ligj të miratuar me 3/5 e votave në Kuvend dhe se është në kundërshtim me ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

Rreth një muaj më parë qeveria vendosi që të sekuestrojë të gjitha hapësirat e ndërtuara pa leje në Tiranë dhe rrethe. Ndërtuesit i lihej të zgjidhte nëse do ta dhuronte këtë pjesë, ta blinte me çmimin e tregut ose në të kundërt ajo do të merrej nga shtetit. Përfaqësuesit e qeverisë kanë deklaruar se në të gjitha rastet ndërtuesi do të gjobitet dhe ndaj tij do të kishte ndjekje penale. Për situatën e krijuar nga ndërtimet kryeministri Rama ka fajësuar edhe një pjesë të sistemit të drejtësie.

Tv Klan