Klosi: Ndalojmë plastikën prej 1 Qershorit 2020

Nisma “Qesja e fundit” ka qenë në fokus të takimit të Ministrit të Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi me studentë e profesorë në qytetin e Vlorës. Ministri Klosi u shpreh se prej 1 Qershorit 2020 pritet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë ligji, i cili ndalon përfundimisht plastikën.

“Jemi akoma në fazën e diskutimit, e debatit dhe sqarimit publik që ka të bëjë me shpalljen e Shqipërisë, vendi i parë europian pa qese plastike më 1 qershor 2020. E kemi filluar këtë fushatë 10 muaj para se të vijë 1 qershori pasi duam shumë që përveç se të marrim një vendim në qeveri dhe më pas në parlament për refuzimin e qeseve plastike më 1 qershor 2020”.

Por për ketë, Ministri Blendi Klosi theksoi se duhet edhe ndërgjegjësimi qytetar.

“Na duhet që ju të jeni pjesë e një rrjeti që sensibilizon shoqërinë për këtë sëmundje. Na duhet te jemi një komunitet”.

Sipas Klosit, dëmet që shkakton plastika në mjedis dhe në shëndetin e gjithë secilit janë kolosale.

Tv Klan