Kryebashkiaku i Tiranës, në turin e tij të takimeve për të kërkuar një mandat të dytë, u ndal me gratë dhe vajzat. Fokusi i bisedës me to ishte shkollat e reja.

“Një nga gjërat që shumë nga nënat e qytetit tonë ngritën në fushatën e kaluar  ishte: -Mirë këto shkollat e reja, por unë kam punë deri në orën 5 dhe goca mbaron në orën 1 mësimin, dhe gjëja e dytë më e mirë që kemi bërë është që në 62 shkolla ne kemi filluar kurset sportive pas mësimit, jo vetëm si një mënyrë për të “parkuar’’ kalamajtë për disa orë të tjera deri sa të mbarojnë punë prindërit,  por së pari për të luajtur në një ambient të shëndetshëm. Së dyti për të pasur një tjetër mësues dhe një tjetër mentor, por kësaj here në formën e një  trajneri sportiv, së treti për t’i bërë pak më fit fizikisht”.

Krahas infrastrukturës, bursat për nxënësit ekselencë do të jepet edhe ne 4 vitet e ardhshme.

“Jam shumë i lumtur që rikthyem një tjetër traditë të Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës që ishte pagesa për të gjithë studentët dhe nxënësit ekselentë, jo për t’i blerë 10-at me lekë, por për të dhënë një mesazh që në qytetin tonë për më të dobëtit, pra për të sapo lindurit, por edhe për më të mirët e fëmijëve tanë ne nuk do të kursehemi. Unë besoj se tregon atë që ne përfaqësojmë si socialistë, nëqoftëse e djathta thotë secili për vete Zoti për të gjithë, edhe le të ketë njerëz që pasurohen masivisht ne themi jo, do të duhet të ketë një mënyrë rishpërndarje sidomos kur vjen puna tek ata që e meritojnë dhe ata që janë më të dobëti”.

Çeku i bebes po ashtu do të vijojë të jepet nga Bashkia për çdo fëmijë që vjen  në jetë në Tiranë.

Tv Klan