Vrapo me shprese ishte motoja e këtij vrapimi ndërgjegjësues për të parandaluar dhe kapur në kohë kancerin e gjirit. Nismës së Ministrisë së Shëndetësisë ju bashkua edhe bashkia e Tiranës. Veliaj u bëri apel vajzave dhe grave që të mos hezitojnë për të zbuluar dhe parandaluar në kohë këtë sëmundje, përmes kontrollit të vazhdueshëm.

“Ka ende ditë në këtë muaj tetori për të shfrytëzuar mundësinë për të bërë ekzaminimin falas, ndërkohë nuk ka arsye pse të ndalojë në tetor. Është diçka që duhet të vazhdojë gjatë gjithë vitit. Është mëkat sot, me aq sa ka evoluar shkenca, spitalet, mjekësia, që të neglizhojmë sëmundje që mund të kurohen po të kapen herët. Mukajeti s’duhet të jetë sebep për të mos kryer një kontroll”,

Kryebashkiaku ftoi edhe djemtë të bëhen pjesë e këtyre nismave .

“Sikur çdo mashkull shqiptar të këmbëngulë që nëna, motra, vajza e tij, një e afërme, kushërira, të bënte checkup-in për kancerin e gjirit, do të kishim sot të paktën të njëjtin kujdes për njeriun siç kemi edhe për makinën. Kjo e sotmja është një garë për të ndryshuar mentalitetin, për të ftuar djemtë dhe vajzat të bëhen pjesë e këtyre kauzave, ku njeriu, shëndeti, jo makina, jo rraqet, duhet të jenë epiqendra e vëmendjes sonë.”

Kanceri i gjirit ka ardhur duke e rritur numrin e te prekurve. Vetëm gjate 9 muajve të parë janë zbuluar 560 raste të reja.

Tv Klan