Një i ri britanik është vënë në pranga në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi tentoi t’i merrte armën një oficeri të policisë me qëllim që të vriste Donald Trump.

Ngjarja ndodhi të shtunën në Las Vegas, gjatë kohës që kandidati republikan për president po mbante një tubim me mbështetës të tij.

20 – vjeçari Michael Steven Sandford nuk i pranoi akuzat teksa doli para një gjykate në Nevada. Ai do të qëndrojë në burg deri më datë 5 Korrik, kur do të zhvillohet seanca tjetër gjyqësore.

Sipas BBC, Sandford akuzohet se u përpoq t’i merrte armën një polici teksa po kërkonte t’i merrte Trump një autograf.

a

Ai mësohet të ketë thënë se po planifikonte ta qëllonte Trump prej rreth një viti, por kishte vendosur të vepronte tani pasi ishte bindur se mund t’ia dilte.

Fushata presidenciale në SHBA ka shënuar akte të shumta dhune. Thuajse kudo që Donald Trump shkon, ai shkakton protesta.

20 – vjeçari ishte i vetëdijshëm që nëse do t’ia kishte dalë mbanë për ta marrë armën do të kishte patur shansin për të qëlluar vetëm 1 ose 2 herë dhe do të kishte mbetur i vrarë në tentativën e tij për të qëlluar Trump./tvklan.al