Në protestën e ditës së dielë më 20 Janar përpara Parlamentit grek ku ishin mbledhur mijëra qytetarë kundër emrit të Maqedonisë, kamerat e televizioneve fiksuan edhe një burrë që ngjalli kureshtjen e të gjithëve. Nëpër mediat sociale u tha se ai ishte me origjinë afrikane, mbante mbi shpinë flamurin grek dhe protestonte kundër Maqedonisë.

Aludimet e shumta bënë që të reagonte vetë personi në fjalë, i cili quhet Dimitris. Në një postim në Facebook, ai thotë se është grek dhe banor i qytetit Naousa. Ai sqaroi se nuk ka aspak lidhje me origjinën afrikane. Dimitris shkruan se është fëmijë i dy prindërve grekë, por reagimi i tij nuk i shpëton toneve nacionaliste, teksa pretendon se po bën detyrën e tij si qytetar grek kundrejt territoreve që sipas tij i përkasin Greqisë.

“Si qytetar grek bëj detyrën time për atdheun, Epirin e Veriut, Trakinë, Qipron, Kostandinopojën”

, shkruan ai ndër të tjera, duke sqaruar se nuk i përket asnjë partie, por gjithçka e bën për vendin e tij.

Në protestën e 20 Janarit përpara Parlamentit grek për të kundërshtuar marrëveshjen për emrin e ri të Maqedonisë, u panë edhe flamuj nacionistë të Epirit të Veriut, që kishin të stampuar edhe fotografinë e Kostandinos Kaçifas.

/tvklan.al