Shtetet e Bashkuara njoftuan se një bombardues B-52 ka kryer një fluturim mbi Gjirin Persik si shenjë e demonstrimit të fuqisë dhe “parandalimit të një agresioni të mundshëm”.

Njoftimi i ushtrisë amerikane vjen në kohën e tensioneve në rritje me Iranin dhe frikës se shkaku i tyre mund të shkojë deri te ndonjë sulm i mundshëm ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj në rajon. Ky është misioni i tretë këtë vit, por i pari që kur presidenti, Joe Biden mori detyrën më 20 janar.

Bombarduesi kreu një fluturim vajtje-ardhje nga baza e Forcave Ajrore Barksdale në Luiziana, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së.

Ky mision kishte për qëllim të demonstrojë aftësinë e ushtrisë amerikane për të vendosur fuqinë ajrore kudo në botë, për të parandaluar ndonjë agresion të mundshëm dhe për të treguar angazhimin e SHBA-së për sigurinë rajonale”, tha Komanda Qendrore e SHBA-së, përmes një deklarate.

Tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë rritur që nga viti 2018, kur ish-presidenti, Donald Trump tërhoqi Uashingtonin nga një marrëveshje bërthamore midis Teheranit dhe fuqive botërore dhe vendosi sanksione shkatërruese mbi republikën Islamike.

Trump ka thënë se marrëveshja ishte e keqe dhe i mundësonte Iranit zhvillimin e armëve bërthamore.

Presidenti Biden ka deklaruar synimin që të kthehet në marrëveshje, nëse Irani respekton kufijtë e programit të tij bërthamor, të cilat i parasheh pakti.

Irani i ka bërë thirrje presidentit Biden që së pari të heqë sanksionet.

Teherani ka shkelur marrëveshjen duke rritur nivelin e prodhimit të uraniumit të pasuruar. /REL