Aktori i njohur hollivudian Jim Carrey është martuar me partneren e tij prej disa vitesh, Min Ah.

Lajmi u konfirmua të mërkurën, më 30 shtator, nga një përfaqësues i aktorit për PEOPLE. Carrey, 64 vjeç, dhe Min Ah e kanë mbajtur lidhjen e tyre larg vëmendjes së mediave, ndërsa martesa vjen vetëm shtatë muaj pasi çifti u shfaq publikisht së bashku në Francë.

Çifti tërhoqi vëmendjen në ceremoninë e Çmimeve César, ku Carrey iu referua Min Ah në një fjalim të mbajtur tërësisht në frengjisht.

Gjatë fjalimit, aktori falënderoi familjen e tij, vajzën Jane dhe nipin Jackson, përpara se t’i drejtohej partneres së tij me fjalë të veçanta.

“Faleminderit shoqërueses sime sublime, Min Ah. Të dua, Min Ah”, tha Carrey, duke shkaktuar duartrokitje nga publiku.

Ai kujtoi gjithashtu babain e tij, Percy Joseph Carrey, të cilit ia atribuoi mësimet mbi dashurinë, bujarinë dhe humorin.

Edhe pse Carrey dhe Min Ah u shfaqën publikisht si çift vetëm këtë vit, lidhja e tyre besohet se ka nisur prej disa vitesh.

Në vitin 2022, ata u fotografuan së bashku teksa largoheshin nga një aktivitet bamirësie, organizuar nga regjisori dhe producenti Judd Apatow në Los Angeles.

Carrey ka qenë gjithmonë i rezervuar kur bëhet fjalë për jetën e tij private. Në një intervistë për Access Hollywood në prill të vitit 2022, teksa fliste për rolin e tij në “Sonic the Hedgehog 2”, aktori kishte lënë të kuptohej se mund të tërhiqej pjesërisht nga aktrimi për t’iu përkushtuar një jete më të qetë.

“Më pëlqen shumë jeta ime e qetë”, ishte shprehur ai, duke treguar se i pëlqente të pikturonte, të merrej me jetën e tij shpirtërore dhe të kalonte kohë me familjen.

Carrey kishte shtuar se ndihej i plotësuar me jetën që kishte dhe nuk kishte nevojë të ishte vazhdimisht në qendër të vëmendjes.

Kjo nuk është martesa e parë e Jim Carrey.

Aktori ishte martuar më parë me Melissa Womer, me të cilën ka vajzën e tij, Jane. Çifti ishte i martuar nga viti 1987 deri në vitin 1995.

Një vit më vonë, në vitin 1996, Carrey u martua me aktoren Lauren Holly, kolegen e tij në filmin “Dumb and Dumber”. Martesa e tyre zgjati vetëm rreth një vit, deri në vitin 1997.

Më herët, Carrey kishte qenë gjithashtu në një lidhje me aktoren Ginger Gonzaga, me të cilën luajti në serialin “Kidding”. Çifti bëri debutimin në tapetin e kuq në janar 2019, por lidhja përfundoi më vonë po atë vit.

/tvklan.al