Kosova dhe Serbia nisën bisedimet teknike me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në vitin 2011. Deri te nisja e bisedimeve ka ardhur pasi që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 2010 miratoi rezolutën e sponsorizuar nga 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian dhe Serbia, e cila hapi rrugë për fillimin e dialogut Kosovë–Serbi, të lehtësuar nga BE-ja, me qëllim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit.

Edhe në fillim u paralajmërua se Kosova do të bisedojë me Serbinë vetëm për çështje teknike –të cilat janë udhëhequr nga ekipet teknike të të dyja shteteve – në fund të vitit 2012, krahas bisedimeve teknike, filluar edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes dyja vendeve.

Dialogun teknik në vitin 2011 e ka udhëhequr Qeveria e Kosovës, ku në krye të ekipit negociator të Kosovës ishte Edita Tahiri. Ndërkaq të atij të Serbisë, Borko Stefanoviç, ndërkaq ndërmjetësuesi i BE-së ishte Robert Cooper.

Në vitin 2014, kryenegociator i Serbisë u bë Marko Gjuriç, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe. Deri më tani janë arritur mbi 23 marrëveshje në dialogun në nivelin teknik dhe politik.

Në tetor të vitit 2012, dialogu teknik kaloi në nivelin politik. Negociatat atëbotë u zhvilluan ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nga kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç. Marrëveshja e parë në kuadër të këtij procesi u arrit ndërmjet dy kryeministrave, në prill të vitit 2013.

Procesi më pas kaloi në nivel presidentësh ku Kosovën e përfaqësonte presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi ndërsa Serbinë presidenti, Aleksandar Vuçiç. Dialogu Kosovë –Serbi ka rifilluar në korrik të 2020-ës në Bruksel, mes kryeministrit tashmë në detyrë të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç./KlanKosova