Negociatori i Bashkimit Europian për Brexit i hapi derën Mbretërisë së Bashkuar për të rihapur bisedimet për të ardhmen e marrëdhënieve mes BE-së dhe Britanisë, nëse Theresa May heq dorë disa prej ‘vijave të kuqe’ të negociatave të saj.

Duke folur mëngjesin e kësaj të mërkure, pasi deputetët britanikë refuzuan marrëveshjen e Kryeministres, Michel Barnier tha se në mënyrë unanime, Këshilli Europian ka rënë dakord që, nëse Britania heq dorë nga vijat e kuqe dhe nëse e bën këtë zgjedhje edhe më ambicioze dhe shkon përtej një marrëveshjeje të thjeshtë tregtie, atëherë Bashkimi Europian do të jetë gati për t’i dhënë një përgjigje të favorshme.

May tha se ajo dëshiron që t’i japë fund lëvizjes së lirë, të tërhiqet nga bashkimi doganor, tregtia e përbashkët dhe jurisdiksioni i Gjykatës Europiane të Drejtësisë.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja britanike “The Independent”, Barnier sugjeroi se nuk mund të ketë rinegocim për marrëveshjen aktuale, që u refuzua nga deputetët britanikë.

Por ndryshimet e negociatave mund t’i japin një mundësi Kryeministres britanike, për të marrë votën e deputetëve, përfshirë atyre laburistë, të cilët kërkojnë të mbajnë bashkimin e doganave dhe marrëdhënie të ngushta me tregun e përbashkët.

“Çfarëdolloj gjëje të ndodhë, është i nevojshëm ratifikimi i kësaj marrëveshjeje”,

tha Barnier përpara deputetëve të Parlamentit Europian.

“Është një parakusht për të krijuar besim të ndërsjelltë, teksa presim për raundin e dytë të negociatave që do të nisin sa më parë të jetë e mundur”.

Ndërsa Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Frans Timmermans tha se askush nuk duhet të krijojë iluzione,

“Brexit dëmton. Dëmton Mbretërinë e Bashkuar dhe dëmton edhe Bashkimin Europian”.

Duke cituar shkrimtarin britanik CS Lewis, ai la të kuptohej se ekziston mundësia që Britania të qëndrojë në bllok

: “Ne nuk mund të kthehemi pas dhe të ndryshojmë fillimin, por mund ta nisim ku jemi dhe të ndryshojmë fundin”./tvklan.al