Kjo është Enerjeta Çamani, ndërsa ky është kolegu i saj Klinton Sadikaj, dy punonjës të qarkullimit. Dita e tyre nis që pa zbardhur mirë. Ata duhet të jenë në terren për të monitoruar trafikun, anomalitë dhe sjelljet e drejtuesve të automjeteve.

Të rinj në moshë, por me shumë përgjegjësi mbi supe. Ata të dy janë kryefamiljarë. Gjë që i bën ata të sakrifikojnë shumë për të mbajtur në balancë jetën familjare me atë profesionale.

Enerjeta sidomos e ka akoma më të vështirë. Madje, ajo tregon për Klan Plus peripecitë me të cilat është përballur në vitet e para kur u bë nënë.

“Sa është e bukur të jesh nënë, po aq është edhe e vështirë. Mua fillimisht më është dashur kur jam transferuar këtu në Tiranë, që për një periudhë prej 1 viti e gjysmë djalin të ma mbanin prindërit e mi dhe të rritej në distancë, në largësi me mua”.

Kjo erdhi si pasojë e zhvendosjes së saj nga Gjirokastra në Tiranë.

“Unë kam 6 vite eksperiencë në Policinë e Shtetit. Me përfundimin e kursit 9-mujor për patrullë të përgjithshme, jam emëruar zëdhënësja e Drejtorisë së Qarkut Gjirokastër. Pastaj kam pasur 1 vit shkëputje duke qenë se u bëra nënë. Më andej jam transferuar në Tiranë”.

Duke qenë në terren dhe në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit, përballen edhe me situata të pakëndshme. Për Klitonin, ka raste që manaxhimi i situatave bëhet i vështirë.

“Sjelljet dhe reagimet e qytetarëve janë të ndryshme. Në përgjithshësi drejtuesit e mjeteve kanë komunikim të mirë, por pa përjashtuar rastet që ka ndonjë drejtues mjeti që nuk reagon mirë”.

Klitoni, një nga punonjësit më të rinj të qarkullimit, përcjell edhe një mesazh që vlen për gjithë të rinjtë.

“Jam pjesë e Policisë së Shtetit prej rreth 3 vitesh. Në Komisariatin e Policisë Rrugore kam filluar në Qershor të vitit 2018. Nëse i përkushtohesh dhe e bën atë punë se të pëlqen, mendoj se është diçka që ja vlen.

Policët e trafikut, ato të autopatrullës apo edhe ata statikë, kanë një punë tejet të vështirë. Në dallim nga të tjerët, duhet të qëndrojnë në çdo kohë në vendin e caktuar për shërbim, qoftë shi apo diell.

Në vëzhgimin e bërë nga Klan Plus, u vu re rrezikshmëria që paraqitet për ta kur marrin njoftime për aksidente. Ka raste kur duhet të jenë në kohë rekord në vendin e ngjarjes. Por një gabim i vogël mund t’iu kushtojë shumë.

Gazetare: Aida Topalli

Klan Plus