24 eurodeputetë: Të paktën të miratohet “Korniza Negociatore”

24 eurodeputetë të majtë e të djathtë i kërkuan sot liderëve evropiane që mblidhen të enjten ne Bruksel që të bëjnë një lëvizje gjeopolitike të minutës së fundit për të miratuar kornizën negociatore me Shkupin e Tiranën këtë Dhjetor. Ata bëjnë një ndarje mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kur bëhet fjalë për konferencën e parë ndërqeveritare që sipas tyre duhet të nisë fillimisht me Shkupin dhe më pas me Tiranën kur të ketë përmbushur kushtet e vëna më 24 Mars.

Eurodeputetet shkruajnë se shtetet anëtare të cilat aktualisht janë dyshuese për hapjen e negociatave me Shqipërinë duhet të bëjnë më shumë përpjekje duke punuar me autoritetet e këtij vendi për përmbushjen e të gjitha kushteve të përcaktuara në konkluzionet e Këshillit për të mbajtur më pas konferencën e pare ndërqeveritare. Ndërkaq para mbledhjes se sotme ministri Gjerman për Çështje Evropiane, Michael Roth, e ka quajtur si “gabim serioz politik” pamundësinë që sot të miratohet korniza negociuese për nisjen e negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe me disa kushte, edhe me Shqipërinë.

 “Ne po bëjmë gjithçka në mundësitë tona si presidencë që të arrijmë deri tek pajtimi sa më shpejtë që të jetë e mundur në mënyrë që të mundësohet konferenca e parë e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe, po ashtu, varësisht nga përmbushja e disa kushteve të mbetura edhe me Shqipërinë. Çfarëdo tjetër do të ishte një gabim serioz politik në dëm të stabilitetit dhe sigurisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor që po ashtu do të dëmtonte shumë edhe sigurinë e Evropës në tërësi. Secili do të duhej të ishte i vetëdijshëm për këtë

Burime diplomatike kanë thënë për Klan Plus se, nëse nuk kalon vendimi për Maqedoninë e Veriut, atëherë disa shtete anëtare të BE-së do te kundërshtojnë çfarëdo shqyrtimi të vendimit për kornizën negociatiore me Shqipërinë. Disa shtete perëndimore si Franca, Holanda, Danimarka e Suedia, duan që ky vend të ketë së pari një Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe të braktisë ligjin e diskutueshëm anti-shpifje, të cilin institucione të tilla si Këshilli i Evropës e shohin si një goditje të lirisë së fjalës. Edhe Greqia ka patur objeksione rreth regjistrimit te pronave te minoritareve sidomos ne bregdet dhe regjistrimin e tyre duke u lejuar të shprehen për gjuhen, fenë dhe përkatësinë etnike.

Klan Plus