“Shehide” është një tjetër këngë e suksesshme e grupit NRG Band, me një fabul situatash gazmore fëminore, por që në thelb ka një dashuri të hershme. Ky projekt muzikor i tyre mban emrin e një vajze, por një emër të vjetër për të ruajtur idenë e dashurisë në çdo kohë dhe zanafillën e saj përpara modernizimit.

Ideja e tekstit është shprehja e dashurisë në një mënyrë epike, në trajtë rrëfimi për lojërat e fëmijërisë, kujtimet, një lloj retrospektive për t’u kthyer pas në kohë.

Rudina Magjistari: “Rina” mbetet një nga këngët tuaja ikonë, ndërkohë që një këngë tjetër e cila gjithashtu ka pasur shumë sukses titullohet “Shehide”. Çfarë do të thotë “Shehide”, është emër vajze, por a ka ndonjë kuptim?

NRG Band: Është emër i vjetër.

Rudina Magjistari: Pse zgjodhët një emër të vjetër, cila është fabula e kësaj kënge? Cila është historia e Shehides?

Arben Qaka: Është një histori dashurie me një tekst që e kanë shkruar përpara, mënyra si ka qenë dashuria, si shkruhej poezia në kohërat më të lashta dhe gjuha është shumë e vjetër, është gjuhë shqipe e vjetër.

Besnik Qaka: Edhe pak aventurë.

Arben Qaka: Po, edhe ashtu e kemi targetuar emrin dhe fabulën e këngës, domethënë është mënyra epike e të shprehurit të dashurisë në kohërat e lashta, edhe muzika është paketuar në po të njëjtën mënyrë.

Rudina Magjistari: Për këtë arsye keni zgjedhur një emër i cili përfaqëson dashurinë në të gjitha kohërat dhe epokat, dashurinë klasike.

Kënga “Shehide” është krijuar në vitin 2008 dhe ka patur si pjesëmarrës humoristin e ndjerë, Ibrahim Krajkova, në rolin e Lecit, i cili ka patur edhe idenë e tekstit. /tvklan.al