Teknologjia dhe përdorimi i saj masiv duket se ka përfshirë njerëzimin në mbarë globin. Me praninë e pandemisë, raportet me rrjetet sociale janë forcuar duke marrë shpesh trajtën e varësisë , veçanërisht kur bëhet fjalë për grupmoshat delikate, si adoleshentët dhe fëmijët. Pikërisht ky fenomen ka qenë temë debati edhe në shumë vende të tjera të botës, ku janë ngritur shqetësime për efektet negative që ka kjo varësi në raport me shëndetin e fëmijëve.

A duhet t’i lejojmë fëmijët të kenë profilet e tyre në rrjetet sociale dhe të bëhen pjesë e postimeve të ndryshme në aplikacionet që janë kthyer në trendin e kohës? Sa të dëmshme mund të jenë këto aplikacione dhe çfarë duhet të bëjmë për të ndaluar të arrihet deri në fatalitet? Pikërisht ky ka qenë debati mbi të cilin është diskutuar sot në emisionin “Historia ime” me panelin e të ftuarve Alma Tandili Lleshi, kryetare e Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, gazetari Flavio Qarri, Dena dhe Fladia Topi.

Të dyja nënë e bijë të përfshira maksimalisht në rrjetet sociale, vajza e vogël ka profilin e saj në Instagram ku numëron 17 mijë ndjekës. Fladia është edhe përdoruese e Tik Tok-ut, ku është shpesh aktive me videot që hedh së bashku me të ëmën.

Kryetarja e Angjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës Alma Tandili Lleshiështë shprehurse të miturit dhe adoleshentët janë mjaft të rrezikuar nga rrjetet sociale. Madje ato janë kthyer në një makth si për ta por edhe për prindërit.

“Shikojmë që kemi të bëjmë me një fëmijë e cila rrugën e saj e ka nisur në botën e medias dixhitale dhe urojmë ta përfundojë me sukses këtë rrugëtim, pra mos e shikojmë gjithmonë anën negative të çështjes edhe pse fenomeni i Instagramit dhe Tik Tok-ut së fundmi është kthyer në një makth për fëmijët, por edhe për prindërit, në momentin që ata shkelen dhe bullohen.

Ne kemi një rast së fundmi që një fëmijë 12 vjeç është në një gjendje shumë kritike për shkak të bullizimit që i kanë bërë shokët dhe shoqet, edhe të rriturit në faqen e Instagramit. Pra jo gjithmonë ekspozimi i fëmijëve është në bazë të të gjithë ato që ne investigojmë apo raportohen tek ne, numri është shumë i lartë. Vetëm në 2020 ne kemi patur 80 fëmijë të cilët janë ndjerë të fyer që ne kemi ndjekur dhe kemi marrë në mbrojtje.

64 raste të abuzimit seksual online dhe ofline, janë dyfishuar nga 2019. Në të gjitha këto 64 raste që kemi marrë në mbrojtje do të thotë që 75% të këtyre fëmijëve, kanë patur shantazhim nëpërmjet rekrutimit dhe telefonit. Pra i është bërë shantazhimi pasi ata janë abuzuar për të ekspozuar fotot intime që ata kanë patur dhe po flasim për fëmijë të mitur”, është shprehur Alma Lleshi. /tvklan.al