Në pjesën e dytë të “Rudina” nga Rudina Magjistari në “Tv Klan” ishin të ftuar regjisorja dhe skenaristja Eliona Thomaraj dhe piktor animatori Bledar Gërcaliu për të folur mbi një ngjarje të veçantë artistike.

Kisha e Shën Ndout në Laç është një nga vendet e shenjta që mbledh mijëra besimtarë, sidomos gjatë periudhës së pelegrinazhit. Mbrëmjen e 12 Qershorit, në këtë objekt të shenjtë fetar u shfaq premiera e filmit vizatimor “Legjenda e vendit t’shejt” që flet pikërisht për legjendën e kësaj kishe.

Regjisorja Eliona Thomaraj rrëfen hapur çfarë ndodhi në ditën e premierës së filmit.

Rudina Magjistari: Filmi duket shumë interesant, por më tregoni pak shijen e parë nga ajo ditë e shenjtë e 12 Qershorit , si ishte për ju, aq më tepër që prezantonit edhe punën tuaj?

Eliona Thomaraj: E para, ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Jemi mësuar të flasim përpara spektatorit në teatër, por prapë, numër i kufizuar, ti e di paraprakisht, nxjerr kokën, kurse njerëz pafund në jetën time nuk kisha parë. Vinin dhe vinin dhe vinin, kishim përgjegjësinë që “a do shihet, a do dëgjohet?”, por fonia ishte e mrekullueshme, ata e përdorin për meshat e tyre dhe ata që nuk arrnin ta shihnin, e ndiqnin si një radiofilm.

Bledar Gërcaliu: Po, ishte sistemi i zërit i shpërndarë në të gjithë territorin dhe vinte nga të katër anët.

Eliona Thomaraj: Muzika dhe teksti i filmit dëgjoheshin deri në kodrat përreth.

Pas shfaqjes së premierës, filmi do të jetë pjesë edhe e festivaleve të ndryshme për të patur debutimin e tij.

Realizimi ka marrë rreth dy vite e gjysmë për shkak të pandemisë dhe ndryshimit të teknologjisë, pasi Elionës dhe Bledarit iu desh të përshtateshin me teknikat e reja dixhitale. Ata kanë arritur ta përshtasin në teknologjinë 3D dhe kanë imituar format e relievit real për t’i përdorur në film duke e bërë atë edhe më autentik.

Rudina Magjistari: Ku mund ta gjejnë të gjithë ata që duan ta shohin këtë film?

Eliona Thomaraj: Në datën 22 Shtator do të jemi pjesëmarrës në TIFF-Tirana International Film Festival dhe shpresojmë që shqiptarët ta shohin në kinema, në kushte të rregullta. Më pas, mendojmë të përfaqësojmë Shqipërinë denjësisht në festivale të tjera.

Duke qenë se filmi u transmetua për herë të parë në një vend të shenjtë, Eliona tregon se emocionet ishin të forta dhe u prit shumë më mirë nga sa e kishte menduar.

Rudina Magjistari: Si u prit në kishën e Laçit shfaqja e këtij filmit?

Eliona Thomaraj: U prit aq mirë,sa…Unë nuk para them u emocionova, atje më janë dridhur gjunjët. Njerëzit kur në një moment në film thonë priftërinjtë që “do marrim një vendim, do ta ndërtojmë kishën atje ku fluturojnë veglat, ashtu qoftë, në emër të Atit, Birit…”, gjithë populli thoshte “Amin” dhe bënte kryqin. Përgjegjësi për ç’po thua dhe ç’po bën. Na shihnin dhe më pas thoshin “respekte”. Nuk kishte vend, edhe atë karrigen e parë mezi e zumë që të vinim videoprojektorin.

Të pranishëm në këtë event ishin të pranishëm përfaqësues të ambasadës së Vatikanit dhe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim. /tvklan.al