Nga karriera e tij sportive e deri tek bota e artit, jeta e Carlo Pedersoli-t, i njohur ndryshe si Bud Spencer do të vijë tashmë në një film.

Lajmin e ka dhënë djali i aktorit të humorit, Giuseppe Pedersoli gjatë festivalit “Terni Pop Film Fest” në Itali, ku ka thënë se është në hapat e para të punës.

Mes të ftuarve të mbrëmjes përveç Giuseppes, ishte edhe vajza e Spencer, Diamante dhe nipi Alessandro Pedersoli, i cili tregoi jo vetëm disa episode interesante të karrierës së aktorit napolitan, por edhe faktin që Spencer nuk e quante asnjëherë veten aktor, pasi në filma ishte ashtu si në jetën e përditshme.

Para se të bëhej një ikonë e kinematografisë, Spencer i dedikohej notit. Në vitin 1950 ishte i pari italian që bëri me not 100 metra në më pak se 1 minutë.

Bud Spencer, e vendosi emrin e tij të artit i frymëzuar nga birra e tij e preferuar Budvveiser si dhe nga aktori Spencer Tracy. Spencer ishte një figurë e pandashme nga Terence Hill, me të cilin ka realizuar pjesën më të madhe të filmave. Ai ndërroi jetë dy vjet më parë në qershor të vitit 2016 në moshën 87-vjeçare.

Tv Klan