Vijon jehona për dërgimin e mjekëve shqiptarë në Itali

Jemi të varfër por nuk na mungon kujtesa”, janë fjalët e Kryeministrit Edi Rama në nisjen e 30 mjekëve e infermierëve për të ndihmuar Italinë, që kanë prekur opinionin publik italian dhe vazhdojnë të bëjnë jehonë në mediat fqinje e botërore.

 “Solidaritet i treguar nga një vend fqinj dhe mik, ende në përpjekjet për rindërtimin pas dëmeve të tërmetit të Nëntorit. Një grup i vogël por një gjest i madh dhe një leksion bujarie”, është përshkrimi që i bëhet në TG5, edicionin e lajmeve i kanale 5 në Mediaset, një prej mediave më të mëdha në Itali.

Duke kujtuar ndihmën që Italia u dha mijëra shqiptarëve, në kronikën e lajmeve të televizionit publik Rai Uno thuhet se mes grupit të mjekëve nga Shqipëria kthehen edhe ata që studiuan në universitetet italiane.

Falenderime publike të përzemërta e të zjarrta për popullin shqiptar dhe Kryeministrin Rama, edhe nga lideri i opozitës Mateo Salvini dhe moderatorja e njohur Barbara D’Urso.

Matteo Salvini: Dua të falenderoi atë dhe popullin shqiptar që na kanë dërguar materiale dhe 30 njerëz, në një kohë që nga Europa s’na ka ardhur asgjë. Nga Gjermania asgjë, nga Holanda asgjë, nga Brukseli asgjë, nga Shqipëria fqinje vijnë 30 mjekë dhe unë e falenderoj nga zemra.

Barbara D’Urso: Kryeministri Rama tha se Italia na ka qëndruar gjithmonë pranë dhe aq të vegjël sa ç’jemi, tani ndihmojmë Italinë dhe na kanë dërguar 30 mjekë. Edhe mua më ka prekur kjo gjë. Dua të falenderoj këtu drejtpërdrejt Shqipërinë dhe shqiptarët që janë populli më i mrekullueshëm që njoh.

Vlerësim i jashtëzakonshëm thuajse nga e gjithë media e shkruar, ku bie në sy një koment i titulluar “Përralla e bukur e Kryeministrit shqiptar, leksion nga Shqipëria” që ka për autor Francesko Merlon. Ndër të tjera, ai shkruan se “mes pak gjërave pozitive në këto ditë është fundi i kompleksit tonë të superioritetit kundrejt një vendi ‘të pasur’ me përulje”.

La Republika, Il Tempo, Il Secolo, La Stampa, Il Giornale, LaVerita e shumë media të tjera i kushtuan vend të rëndësishëm ndihmës së Shqipërisë në këtë kohë të vështirë për çdo vend të globit.

Më herët, falenderime dhe vlerësime për këtë gjest shprehën edhe Kryeministri Conte, ministri i Jashtëm Di Maio e politikanë të tjerë italianë.

Edhe mediat prestigjioze ndërkombëtare i dedikuan artikuj ndihmës së Shqipërisë. Ndërsa aktorja e famshme Sharon Stone, postoi një mesazh falenderimi, shoqëruar me një foto të eksodit të vitit 1991, në të cilin shkruan: “30 vjet më parë Italia vendosi t’i ndihmojë. Sot Shqipëria po dërgon mjekë e infermierë për të ndihmuar Italinë. Faleminderit, me gjithë zemër”.

Tv Klan