Vellezërit Sajmiri dhe Landi Miri, përkatësisht 39 dhe 18 vjeç janë vënë në pranga të Policisë pasi dyshohet se janë autorët e vrasjes së 34-vjeçarit Indrit Ndoji, mbrëmjen e enjtes në Fushë-Krujë. Sipas policisë, dy vëllezërit e kanë qëlluar 34-vjeçarin disa herë me një kaçavidë në këmbën e djathtë, plagë kjo që i ka shkaktuar dhe vdekjen për shkak të gjakderdhjes.

Në një lidhje direkte për edicionin e lajmeve në Tv Klan, gazetarja Glidona Daci ka dhënë më shumë detaje rreth ngjarjes si dhe ka treguar se cilat kanë qenë provat që kanë çuar policinë në identifikimin e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.

Glidona Daci: Policia dhe Prokuroria e Krujës kanë në dorë një provë shumë të forcë. Është një gjurmë AND-je e gjetur në vendin e ngjarjes e cila ka çuar më pas hetuesit në drejtim të identifikimit dhe vënies nën akuzë të 2 vëllezërve, Sajmir dhe Landi Miri. Të paktën dhe në kontrollin e banesës që ata kanë kryer, efektivët e policisë kanë dyshime të forta që janë pikërisht 2 vëllezërit autorët e dyshuar të kësaj ngjarje, ndërkohë që gjurma biologjike që është dërguar dhe në laboratorin e Policisë Shkencore, është një nga provat më të forta të disponon grupi i hetimit.

Gazetarja Glidona Daci raporton se 2 vëllezërit kanë mohuar kategorikisht të kenë lidhje me ngjarjen.

Glidona Daci: Të paktën në deklarimet e dhëna deri në këto momente, 2 vëllezërit kanë mohuar kategorikisht që të kenë lidhje me ngjarjen apo të jenë ato autorët e ngjarjes. Ato kanë thënë se kanë njohje me 34-vjeçarin, e dinin si personazh dhe si emër, por mohojnë kategorikisht të kenë lidhje me këtë ngjarje./tvklan.al

Vranë 34-vjeçarin, arrestohen dy vëllezërit