ISHP: Vuante nga zemra dhe pneumonia

Gripi sezonal ka shënuar viktimën e parë në Shqipëri. Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur zyrtarisht se një grua 61–vjeçare ndërroi jetë si pasojë e virozës stinore.

Ajo ishte shtruar në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”. Por ISHP thotë se ajo vuante edhe nga sëmundje të zemrës dhe se pas prekjes nga gripi ka pasur një fillim të menjëhershëm të pneumonisë.

Edhe pse ka hyrë në terapi intensive, ajo nuk ka mundur të mbijetojë.

Mjekët bëjnë me dije se 61-vjeçarja nuk ishte e vaksinuar ndaj gripit.

Aktualisht në terapi intensive në spitalin infektiv dhe Sanatorium po trajtohen 64 pacientë që paraqiten në gjendje të rënduar.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, numri i të prekurve nga gripi ka ardhur në rritje gjatë javës së fundit, me 16 mijë raste në javë.

Ekspertët thonë se në vend qarkullojnë viruset A dhe B të gripit me mbizotërim të tipit A/H1, të cilët nuk janë vdekjeprurës, por mund të rezultojnë fatal tek personat që vuajnë nga sëmundje të tjera të rënda.

Tv Klan