22-vjeçari nipi i Prel Markut, ndihmoi për ekzekutimin

Ky është Sebastian Mali, një nga personat që dyshohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e Hekuran Billës mbrëmjen e 11 Qershorit te Komuna e Parisit në Tiranë. Policia ka publikuar edhe pamjet e arrestimit të tij.

Sebastian Mali është identifikuar nëpërmjet kamerave të sigurisë, pasi ka lëvizur me një automjet tjetër mbrëmjen që u ekzekutua 40-vjeçari Hekuran Billa. Grupi hetimor thekson se Sebastian Mali ka ndihmuar në vrasjen e Billës për hakmarrje, pasi i ishte vrarë daja në vitin 2006.

22-vjeçari, sipas burimeve nga grupi hetimor, ka ndjekur lëvizjet e Hekuran Billës ditën e vrasjes.

Policia thotë se Mali ka ndihmuar edhe në largimin e autorëve nga fshati Pezë e Vogël, ku ata dogjën makinën që përdorën në atentat.

Gjatë operacionit policia ka sekuestruar 3 automjete që mund të jenë përdorur pas vrasjes. Në këto makina janë gjetur prova të reja për autorët, që dyshohet se janë 3 deri më tani.

Policia vijon të ketë në kërkim Viktor Markun, vëllain e Prel Markut. Viktori mendohet se është personi që qëlloi ndaj Hekuran Billës.

Tv Klan