Një person ka mbetur i vrarë pasditen e kësaj të hëne në Elbasan. Viktima është 39-vjeçari Emiljano Ramazani, me origjinë nga qyteti i Elbasanit dhe banues në Vlorë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Luleve”, në lagjen 28 Nëntori. Rrethanat e këtij atentati momentalisht janë të paqarta. Viktima mësohet se ndodhej brenda automjetit të tij, kur u qëllua për vdekje.  

39-vjeçari rezulton person me precedentë të theksuar kriminalë në fushën e narkotikëve, i arrestuar disa herë për kokainë e heroinë në Shqipëri, por edhe i dënuar në disa shtete europiane. Ramazani rezulton i liruar nga burgu 6 muaj më parë, ndërsa dyshohet gjithashtu se ishte i përfshirë edhe në aktivitetin e parave me fajde.

Burime bëjnë të ditur se vëllai i viktimës ka një lokal në qendër të qytetit të Elbasanit.

Sa i përket autorëve të kësaj ngjarjeje, menjëherë pas ekzekutimit të 39-vjeçarit ata u larguan me automjet drejt Bradasheshit, ku dhe i vunë flakën në një ullishte. Bëhet fjalë për një automjet Volkswagen, targat e të cilit janë vjedhur para 10 ditëve në Tiranë.

Në automjetin e djegur, autoritetet kanë gjetur dy armë zjarri, kallashnikovë.

“Në Elbasan, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i luleve”, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi E. R. 39 vjeç. Autorët dyshohet se janë larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Bradashesh-Paper, në një ullishte i kanë vënë zjarrin mjetit dhe janë larguar në kodrat përballë Paperit. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjeke të autorëve, po bëhet rrethimi i zonës nga dyshohet se mund të jenë larguar autorët, si dhe janë ngritur menjëherë pika kontrolli në akset rrugore Elbasan-Rrogozhinë, Elbasan-Tiranë dhe Elbasan-Belsh”.

Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur FNSH dhe RENEA, si dhe një grup specialistësh të Departamentit të Policisë Kriminale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për fiksimin e çdo prove të mundshme që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha Policia e Elbasanit në një njoftim paraprak për media./tvklan.al

Burimi: Klan Plus