Ministrja Balluku: OSHEE do të kujdeset për familjet e 2 punonjësve. Shpërblim për punonjësit e OSHEE dhe OST

Ngjarja tragjike ku humbën jetën 2 punonjës të OSHEE në Gjirokastër solli këtë të mërkurë reagimin e Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Duke shprehur ngushëllimet e saj për humbjen e dy jetëve, Balluku vlerësoi punën e tyre shumë vjeçare pranë OSHEE dhe tha se kjo ndërmarrje do të kujdeset për familjet e tyre.

“Me keqardhje dhe dhimbje të thellë, njoftojmë humbjen e dy pjesëtarëve të vyer të ekipit tonë të OSHEE, të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës gjatë orëve të fundit të mbrëmjes së djeshme. Ismet Isaraj, 64 vjeç dhe Selfo Kallfa, 52 vjeç, me detyrë elektricistë në degën rajonale të OSHEE Gjirokastër, janë nisur për të lokalizuar defektin e linjës 600 kv të fiderit në radiostacionin e nënstacionit të Gjirokastrës. Pas ndërprerjes së komunikimit mes tyre dhe qendrës, janë njoftuar menjëherë forcat e rendit dhe më pas forcat e specializuara polumbare, të cilat bënë të mundur gjetjen e trupave të tyre. Ismeti ka qenë 22 vite pjesë e kësaj familjeje dhe Selfo 34 vite, pasi e kishte nisur punën në moshën 18-vjeçare, aq vjeç sa është sot Fabiani, i biri i tij. OSHEE do të kujdeset për familjet e 2 punonjësve të rënë në krye të detyrës. Ne jemi të gjithë pranë tyre në këto momente tragjike dhe të dhimbshme.”

Më tej Balluku tha gjithashtu se të gjithë punonjësit e OSHEE dhe OST do të marrin shpërblim për punën e tyre gjatë këtyre ditëve kur vendi u përball me kushtet e motit ekstrem.

“Respekt për heroizmin e treguar nga punonjësit e OSHEE dhe OST në çdo moment të kësaj jave sfiduese, të cilët kanë punuar me vetëmohim në kushte ekstreme të ndikuara nga moti, për të minimizuar dhe riparuar çdo defekt, çdo dëm elektrik dhe për të mos lënë askënd pa energji. Kam kërkuar nga drejtuesi i OSHEE dhe drejtuesi i OST të paraqesin pranë Këshillave Mbikëqyrës kërkesën për shpërblim të punonjësve të këtyre dy ndërmarrjeve për të gjithë punën e palodhur që kanë kryer gjatë këtyre ditëve sfiduese në kushtet e motit ekstrem”.

Ngushëllimit të Ministres Balluku iu bashkua edhe kryeministri Edi Rama, i cili në rrjetet sociale shkruajti: “Bashkohem me ngushëllimet e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për familjet e për kolegët e dy punonjësve të OSSHE që humbën jetën në krye të detyrës, si edhe u shpreh të gjithë mirënjohjen time e të qeverisë, të gjithë atyre mijëra shërbëtorëve të shtetit e të popullit, që në këto ditë me mot të jashtëzakonshëm punuan pa u kursyer e duke u gdhirë në fronte tejet të vështira, duke riparuar dëmet në energji e hapur rrugët e bllokuara nga stuhitë e dëborës”.

Selfo Kallfa dhe Ismet Isaraj humbën jetën rreth orës 00:30 të së mërkurës, pasi makina me të cilën udhëtonin përfundoi në ujërat e lumit Drino. Trupat e tyre të pajetë u nxorën gjatë orëve të mëngjesit./tvklan.al