Koronavirusi i ka marrë jetën një tjetër mjeku në vendin tonë. Bëhet fjalë për mjekun e spitalit të Dibrës, Ibrahim Kaziu, i cili nuk mundi ta fitonte betejën me Covid-19. Lajmin e bëri të ditur në një postim në rrjetet sociale spitali i Dibrës.

“Dr. Ibrahim Kaziu ishte mjeku që me profesionalizëm e përkushtim i shërbeu komunitetit të banorëve të Dibrës për vite e vite me radhë, si mjek dhe drejtues teknik ne Spitalin Dibër. Dr. Ibrahimi nuk ia doli në betejën me virusin e pabesë, megjithë përpjekjet e mëdha të stafit mjekësor. Të trishtuar nga kjo humbje e madhe për të gjithë ne. Do na mungojë shumë energjia e pashtershme dhe shpirti i sakrificës të një mjeku model, qytetari të mirë dhe drejtuesi të zot. Ngushëllime familjes për humbjen e rëndë!”, thuhet në reagimin e Spitalit Rajonal të Dibrës./tvklan.al