Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur këtë të mërkurë që të postojë në rrjetet sociale pamje nga kantieri i rindërtimit të lagjes së re në Thumanë. Kjo zonë, e cila ishte një nga më të prekurat nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, është njësoj si Shqipëria në çdo sektor sipas Ramës.

“Një zonë e ndryshuar rrënjësisht me atë që ishte pas tërmetit, ashtu si edhe Shqipëria pas rrënimit të deri para 7 vjetëve e kusur, ku janë vënë bazat e janë ngritur muret, po ku ende duhet shumë punë për të hedhur çatitë e krijuar mjedisin e ngrohtë të zhvillimit, me frymëmarrje plotësisht të lehtësuar të jetës familjare e komunitare”.

Kreu i qeverisë thekson se Thumana s’ka krahasim me atë që ishte dje, por as me atë që do të bëhet nesër. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Shqipërinë sipas Ramës.

“Thumana sot s’ka krahasim me Thumanën dje, as me atë para tërmetit, por ajo që do të bëhet nesër, kur kjo punë e madhe të jetë kryer plotësisht, s’do ketë krahasim me këtë sonte – njësoj si Shqipëria që është ende një kantier në çdo sektor, ku punët janë akoma larg së qeni të përfunduara”./tvklan.al