Kur bota mësoi për vdekjen e Papa Françeskut të hënën në mëngjes, një kardinal irlandez-amerikan, pak i njohur në botën e gjerë, ishte ai që dha lajmin i pari. Pasi njoftoi se Papa ishte “kthyer në shtëpinë e Zotit”, kardinali irlandez-amerikan Kevin Farrell mori një nga rolet e tij më të mëdha deri më tani: “camerlengo”, ose personi që drejton Vatikanin pas vdekjes ose dorëheqjes së një Pape.
Ati i Shenjtë e emëroi kardinalin për këtë rol në vitin 2019. Kardinali do të qëndrojë në këtë pozicion gjatë periudhës midis vdekjes së Papës deri në zgjedhjen e Papës së ri. Ai gjithashtu do të luajë një rol të rëndësishëm në ceremonitë për Papa Françeskun.

I lindur në vitin 1947 në Dublin, Farrell ndoqi Universitetin e Salamankës në Spanjë dhe Universitetin Papnor Gregorian në Romë, sipas Vatikanit. Mbajti role në kisha në mbarë botën, duke shërbyer si kapelan në Universitetin e Monterrey-t në Meksikë, si dhe në një famulli në Bethesda, Maryland.
Gjithsesi, 77-vjeçari kaloi më shumë se 30 vjet duke punuar për kishat në SHBA. Farrell u emërua peshkop i Dallasit në vitin 2007 derisa Papa Françesku i kërkoi atij në vitin 2016 që të shërbente si udhëheqës i departamentit të ri të Vatikanit, përgjegjës për kujdesin e familjeve, duke e ngritur atë në gradën e kardinalit.
Vite pasi e quajti atë si camerlengo, në vitin 2023, Françesku zgjodhi Farrell-in si president të Gjykatës së Lartë të Vatikanit. Ai u emërua edhe kryetar i Komisionit për Çështje Konfidenciale. Si camerlengo, kardinali Farrell do të ngarkohet të organizojë konklavën e kardinalëve, procesi përmes të cilit zgjidhet papa tjetër. Edhe pse nuk është ndër kandidatët kryesorë, teknikisht ai mund të bëhet Papë, siç ka ndodhur dy herë në histori: Gioacchino Pecci (Papa Leo XIII) në 1878 dhe Eugenio Pacelli (Papa Piu XII) në 1939.
Klan News