Shkrimtarja e njohur Flutura Açka ka promovuar botimin e saj më të fundit, i cili është një trilogji e titulluar “1914”, një vepër voluminoze që i përket zhanrit të romanit artistik, por e bazuar në fakte historike. Açka, e ftuar në emisionin “Rudina” këtë të hënë, më 12 tetor, pohoi se trilogjia “1914” është e bazuar në fakte historike, me në fokus Shqipërinë e një shekulli më parë, kohë kur në drejtim ishte Princ Vidi.
Shkrimtarja zbuloi se krijimi i kësaj vepre i ka kushtuar 15 vite të jetës së saj dhe se frymëzimi lidhet edhe me marrëdhënien e saj shumëvjeçare me Holandën.
“Në këto 30 vite me Holandën kam qenë gjithmonë kureshtare. Unë thosha: ku ka një pikë që lidhet Holanda me Shqipërinë, se ndjeja si një lloj përgjegjësie për të ndërtuar këtë urë. Unë e kam ndërtuar këtë urë, por sigurisht është ndryshe kur ua jep edhe të tjerëve ta kalojnë këtë urë. E vetmja pikë e fortë ishte pikërisht Misioni Holandez i Paqes. Kam gjetur në muze, në arkivën e ushtrisë holandeze, një kuti të madhe të mbyllur, ku brenda kishte aparate fotografike, dokumentacione, gjithçka, stema, medalje, gjithçka në një kuti. Pata një lloj dhimbjeje, se ishte një pjesë e historisë së Shqipërisë. Sigurisht, për Holandën, Misioni Holandez i Paqes është një grimcë e vogël, por për ne është shumë thelbësor, sidomos në një vit të errët.”
Açka tregoi se për realizimin e trilogjisë ka kryer kërkime të detajuara mbi atë periudhë historike, duke zbuluar detaje mbresëlënëse që kanë pasuruar krijimtarinë e saj.
“Unë e shoh Shqipërinë nëpërmjet syve të 18 oficerëve holandezë, por në fakt është Shqipëria e parë prej tyre, e shpjeguar prej tyre, e dashuruar prej tyre, me marrëdhënie të jashtëzakonshme… Kam kontaktuar disa nga stërnipërit e tyre, për shembull. Holandezët janë shumë të kujdesshëm me arkivat, nuk hedhin asgjë. Kam zbuluar edhe menunë e darkës së gjeneralit De Veer para se të nisej, që ishte një gjë fantastike ta shihje origjinalin e menusë. Kam studiuar me dhjetëra e dhjetëra fotografi për detajet e vogla: shtëpitë, si ndërtoheshin, si lyheshin, si dhe si i hidhnin plehrat, si menaxhonin disa gjëra, pluhuri, ç’bëhej me pluhurin, si ishte, rrugët si ishin, si hyhej në një fshat, si përshëndeteshin, si priteshin miqtë.”
Shkrimtarja Açka pohoi se mes personazheve të veprës së saj ka një të tillë më të preferuar, për të cilin zbuloi se i ka veshur edhe tipare të birit të saj.
“Në veprat e mia, në përgjithësi, personazhet pak a shumë janë të gjithë bashkë, jo se jam masovike, e urrej masovizmin, por në përgjithësi përpiqem, ngaqë i dua fort të gjithë, por sigurisht ka të veçantë. Kapiteni De Jong… Kam perceptuar tek ai edhe disa gjëra të tim biri. Kisha nevojë për disa gjëra që mbase s’i kisha thënë, ndoshta ia kam veshur atij, po dhe e doja fort, se ishte një tip shkrimtari, kishte këtë dozën e idealizmit, shkonte më shumë me shqiptarët, rrinte me shqiptarët, pinte duhan me shqiptarët, kështu që prandaj kapiteni De Jong.”
Ajo bëri të ditur se libri i tretë i trilogjisë “1914” pritet të publikohet gjatë Panairit të Librit 2026, ndërsa është duke punuar për një tjetër vepër, e cila i përket zhanrit erotik.
/tvklan.al












Botërori 2026 