Kryetari i opozitës, Lulzim Basha u takua me kreun e PD në Londër, Naim Hasani, i cili e informoi për vendimin e Gjykatës Supreme Britanike, që i hap rrugë mbajtjes së shtetësisë britanike me identitetin e vërtetë për të gjithë shqiptarët që kanë fituar shtetësinë britanike si kosovarë.

Kryetari i PD, dega Londër, Naim Hasani, është avokat i çështjes së fituar në Gjykatën Supreme Britanike më 21 Dhjetor 2017. Ai është, gjithashtu, avokati i parë shqiptaro-britanik, që ka mbrojtur një çështje ligjore para Gjykatës Supreme Britanike.

Kryetari Basha tha se ky është një vendim historik që u shërben shumë familjeve shqiptare.

Statusi i plotë i kryetarit Basha

“Pas pritjes së mrekullueshme që më bënë bashkatdhetarët e Londrës, pata kënaqësinë të pres në Tiranë, Z. Naim Hasani, Kryetarin e PD, Dega Londër dhe avokatin e parë shqiptaro-britanik që ka mbrojtur një çështje ligjore para Gjykatës Supreme Britanike.

Hasani më informoi mbi vendimin historik të datës 21 Dhjetor 2017 nga Gjykata Supreme Britanike, e cila ka hedhur poshtë urdhrat e Ministrisë së Brendshme Britanike të vitit 2013, që në mënyre automatike u hiqnin shtetësinë Britanike dy shtetasve shqiptare për shkak se ishin regjistruar si shtetas te Kosovës, dhe ka konfirmuar se ata janë shtetas Britanike me identitetin e tyre shqiptar.

Gjykata Supreme ka vendosur gjithashtu në mënyrë të qartë se edhe personat e tretë, siç janë fëmijët e tyre, duhet të qëndrojnë shtetas Britanikë.

Ky është një vendim me rëndësi jetike dhe një arritje e madhe për te gjithë shqiptarët në Britani dhe familjet e tyre, që ndodhen në situatë të ngjashme ligjore.

E përgëzova Z. Hasani për punën e tij shumëvjeçare që u kurorëzua me këtë fitore ligjore të përmasave historike, dhe e uroj atë dhe çdo bashkëqytetar qe i gëzohet fryteve të këtij vendimi jetik për shumë shqiptare në Britani dhe familjarët e tyre./tvklan.al