Një luftë në Gjirin Persik do të kishte vetëm të humbur

Një luftë në Gjirin Persik do të kishte vetëm të humbur

09:35 15/06/2019

Koment/ Pas sulmeve ndaj dy anijeve cisternë në ngushticën e Hormuz, SHBA fajëson Iranin. Sa të besueshme janë akuzat e Uashingtonit? A mund të qëndrojnë edhe forca të tjera pas kësaj? Rainer Sollich komenton.

Një video bardh e zi e ushtrisë së SHBA-së me filmime të paqëndrueshme tregon me gjasë një ekip të gardistëve iranianë të revolucionit gjatë një aksioni me një skaf në ngushticën detare të Hormuzit. Sipas paraqitjes amerikane ushtarët elitë iranianë largojnë një minë ngjitëse, e cila nuk shpërtheu gjatë aksionit në trupin e anijes cisternë “Kokuka Courageous”. Largimi i kësaj prove nga Irani, tregon, se Teherani qëndron pas sulmit ndaj dy anijeve në ngushticën e Hormuzit – ky është të paktën këndvështrimi zyrtar amerikan.

A është ky rasti i të famshmit “Gunsmoke”, pra  “prova”, me të cilën autorët e kapur duke kryer aktin mund të justifikojë një masë politike dhe ushtarake ndëshkimi?  A mundemi ta besojmë përmbajtjen dhe ngjarjen e videos të ofruar nga SHBA?

Nuk është hera e parë e hamendësimeve të rreme

Dyshimet që mund të lindin kanë një bazë, sepse lufta kundër diktatorit iranian Saddam Hussain më 2003 u bë tërësisht bazuar në supozime të rreme të qeverisë së atëhershme të SHBA-së. Po ashtu, ne jetojmë sot në kohën e digjitalizimit gjithnjë e më të madh, kur bëhet gjithnjë e më i lehtë manipulimi me profesionalizëm të lartë i videove e dëshmive të tjera. Në shikim të parë duket si jo logjike, që Irani (madje edhe vetë fraksioni i përfaqësuesve të vijës së fortë atje) t’i ofrojë vullnetarisht një arsye të mundshme për luftë SHBA-së, sepse në sfondin e raporteve të forcave ushtarake në fund ai vetëm mund të humbasë, kjo nga njëra anë.

Nga ana tjetër ekspertët tërheqin vëmendjen, se gardat iraniane të revolucionit vërtetë kanë “ekspertizë” me minat ngjitëse – dhe që Teherani edhe në të kaluarën disa herë ka kërcënuar, se në rast konflikti do ta sabotojë qarkullimin e lirë të anijeve aq të rëndësishëm për ekonominë botërore e veçanërisht për tregtinë e naftës në ngushticën e Hormuzit. Sulmi ndaj dy anijeve cisternë pra mund të interpretohet si një përpjekje e Iranit, për të demonstruar forcën ushtarake. E në këtë mënyrë për t’i treguar SHBA-së, se ne kemi metodat tona, nuk lejojmë të na imponoheni!

Por ky është një spekulim. Po ashtu sikurse është spekulim, që pas sulmeve të supozohet një komplot amerikano-saudito-izraelit, sikurse la të nënkuptohet udhëheqja e Iranit dhe sikurse në Gjermani e në vendet arabe kanë vërshuar komentet kritike ndaj SHBA-së në rrjetet sociale. Eshtë e vërtetë, se motive të mundshme për të manipuluar për një “Casus Belli” mund të gjenden si në SHBA edhe në Izrael apo në shtetet e Gjirit për arsye të interesave në politikën e jashtme dhe atyre strategjike. Por ka po aq shumë motive po kaq bindëse, që flasin kundër kësaj – e madje edhe nga ana e presidentit amerikan. Donald Trump është zgjedhur prej përkrahësve të tij edhe që SHBA-ja të tërhiqet ushtarakisht nga Lindja e Mesme. Një luftë kundër Iranit do të ishte me gjasë me shumë humbje dhe e pamundur të fitohet pa trupat e këmbësorisë. Nëse ushtarët e SHBA-së mund të bien në këtë luftë, nuk do të rriteshin shanset që Trump të rizgjidhet në fund të 2020.

Forca që me vetëdije duan të riskojnë me një luftë

Por për fat të keq mund të arrish në konkluzionin, se kushdo që të qëndrojë pas provokimit në Hormuz – në konstelacionin aktual ka forca, të cilat përkundër çdo arsyeje politike dhe humanitare me vetëdije e marrin paraysh rrezikun e një lufte ose në rastin më të keq e konsiderojnë atë sipas interesit të tyre si një “zgjidhje” në konfliktin e tyre me palën kundërshtare. Në këtë rast duhet vetëm që t’i paralajmërosh ato. Një luftë në Gjirin Persik do të kishte pasoja fatale për shumë vende të rajonit, veçanërisht për ato, ku milicët e financuar nga Irani janë aktivë, si në Jemen, Siri, Irak e Liban. Edhe Izraeli, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe mund të prekeshin – këto dy të fundit përballen qysh sot me sulmet e Hutëve nga Jemeni me financime iraniane. Një luftë e tillë do të kishte vetëm të humbur, Duhet bërë gjithçka, për ta penguar atë – edhe nga ana e Gjermanisë dhe Europës me mjetet e saj të kufizuara. Megjithatë ekzsiton droja, se lufta, që nuk e do askush, tashmë po afron./DW

LAJMET
Të ngjashme

KPT
KPT
UKT