Një aksidenti me pasojë plagosjen e disa personave ka ndodhur gjatë natës në Lezhë. Mësohet se dy makina janë përfshirë në një aksident në aksin rrugor Milot-Lezhë në zonën e njohur si Spiten.

Nga pamjet e siguruara nga Klan News shihet se përplasja ka qenë e fortë, pasi një makinë është përmbysur në rrugë dhe tjetra ka përfunduar në kanal.

Siç mësohet janë përplasur një mjet tip Benz dhe një Golf. Deri tani bëhet me dije se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i Policisë Lezhë:

Rreth orës 23:30, të mbrëmjes së kaluar, janë përfshirë në aksident rrugor mjeti tip “Volkswagen ” me drejtuese shtetasen E.R., 23 vjeçe, banuese në Mirditë dhe mjeti tip “Benz ” me drejtues shtetasin M.L.,43 vjeç, banues në Lezhë.

Si pasojë e përplasjes kanë marrë dëmtime drejtuesja e mjetit dhe shtetasja A.M.,20 vjeçe, pasagjere në mjet, të cilat janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes./tvklan.al