“Një marrëveshje Kosovë-Serbi do të ishte me përfitime”

“Një marrëveshje Kosovë-Serbi do të ishte me përfitime”

10:10 13/09/2019

Kosova tash e pesë vjet është në defensivë diplomatike karshi agresivitetit diplomatik të Serbisë dhe nuk ka arritur që t’i amortizojë efektet e saj, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Për më shumë, sipas tyre, diplomacia e Kosovës është treguar e papërgjegjshme karshi agresivitetit të diplomacisë serbe, ndërkohë që ka degraduar edhe për shkak të politikave jo të mira dhe joprofesionale, punësimeve mbi baza partiake dhe mungesës së disiplinës brenda resorit në raport me ekzekutivin e vendit, në përgjithësi.

Analisti i çështjeve politike, Armend Muja, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që diplomacia e Kosovës, që nga viti 2014 është në defensivë.

Sipas tij, periudhën gjatë 4 vjetëve e kanë karakterizuar dy momente. Momenti i parë, sipas tij, është ardhja në pushtet në Serbi e Aleksandar Vuçiçit, aktualisht president i këtij vendi, si dhe e Ivica Daçiçit, i cili aktualisht është zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Serbisë.

Ndërkaq, momenti i dytë është dialogu politik i Brukselit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilin, kjo e fundit ka arritur që në mjaft vende të botës, e sidomos në Azi dhe Afrikë, ta interpretojë si dialog për statusin e Kosovës.

Sipas tij, diplomacia e Kosovës, nuk ka pasur kundërpërgjigje ndaj kësaj situate, për shkak se, siç thotë ai, me kalimin e kohës i ka humbur miqtë dhe nuk ka pasur një orientim strategjik ndaj procedurës së njohjes.

“Diplomacia kosovare ka pasur humbje të fokusit, ka pasur mungesë të kapaciteteve dhe në të njëjtën kohë, nuk ka pasur ndonjë orientim strategjik me aleatët. Në dy vjetët e fundit, ka pasur tërheqje të njohjeve. Diplomacia e Kosovës ka qenë në defensivë dhe në mënyrë efektive i kemi 12 njohje të konfirmuara, të cilat janë tërhequr. Qëllimi i Serbisë ka qenë që të na bëjë të ndjeshëm, të na ulë në tavolinën e negocimit dhe që ne të bëjmë kompromis sa i përket Asociacionit (të komunave me shumicë serbe) ose korrektimit të kufijve”, thekson Muja.

Ai shton se masat e ndërmarra nga diplomacia serbe kanë qenë të koordinuara me aleatët e Serbisë, përfshirë Rusinë.

Mendim të ngjashëm ka edhe politologu Ramush Tahiri. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se Serbia e ka keqpërdorur dialogun e Brukseli duke e paraqitur atë si kthim të çështjes së Kosovës për rishqyrtim.

Sipas tij, përderisa diplomacia e Serbisë ka dërguar letra cirkulare nëpër vende të botës, duke u kërkuar atyre që të tërheqin ose ngrijnë njohjet e Kosovës deri në arritjen e një marrëveshjeje, në anën tjetër, diplomacia e Kosovës ka ngelur pasive në këtë drejtim.

“Delegacioni i Kosovës nuk ka arritur ta bindë askënd që bisedimet ose dialogu në Bruksel, me Serbinë, po bëhet për normalizimin e marrëdhënieve dhe nuk po bëhet për rishqyrtim të njohjes dhe as për ndarje të Kosovës nga Serbia (siç pretendojnë autoritetet e Serbisë). Gjendja ka degraduar dhe Kosova ka hyrë në një lloj vetëkënaqësie dhe në një lloj papërgjegjësie. Nuk është në avantazh, por në një lloj disavatazhi në krahasim me Serbinë dhe gjithashtu nuk po i zhvillon marrëdhëniet me shtetet tjera që të lobojnë”, thekson Tahiri.

Ndërkaq, analisti Muja vlerëson se aktualisht nuk ka shenja që kursi i deritashëm i diplomacisë së Kosovës do të ndryshojë së shpejti, ndërkohë që, sipas tij, pret rritje të presionit nga diplomacia serbe.

“Te diplomacia e Kosovës nuk kam parë ndonjë ndryshim esencial apo përmbajtësor, që të jep të mendosh që shtegu i defensivës së filluar nga viti 2014, është në ndryshim e sipër. Unë mendoj që kjo do të vazhdojë. Presioni i Serbisë, sidomos Daçiçit dhe Vuçiçit, do të vazhdojë me dy përpjekje përfundimtare. E para është që ta distancojë Kosovën nga anëtarësim në OKB apo nga ato dy të tretat e nevojshme në Asamblenë e OKB-së, si dhe tjetra është që t’ia parandalojë Kosovës çfarëdo anëtarësimi në formën e shtetësisë, në organizata siç është INTERPOL-i”, thekson Muja.

Politologu Tahiri, thotë se diplomacia e Kosovës aktualisht është në kurs negativ dhe nuk është duke arritur që ta bindë në tërësi bashkësinë ndërkombëtare se nuk ekziston asnjë alternativë, në të cilën do ta negocionte statusin e saj, i cili është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

“Diplomacia e jonë nuk është dorëzuar, por po ndjehet e papërgjegjshme. Ata, me sintagma dhe flokula, janë prezent. Mirëpo, me letra dhe dokumente nuk janë duke bërë asgjë. Në këtë bazë janë duke e nënçmuar angazhimin e Serbisë dhe po e nënçmojnë faktin që diplomacia duhet të jetë vazhdimisht aktuale dhe të mos pushojë asnjëherë derisa Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara ose të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare. Ndërkohë, Kosova nuk po arrin ta arsyetojë as kërkesën për INTERPOL”, shprehet Tahiri.

Aktualisht, në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, figurojnë 116 shtete, të cilat thuhet se kanë njohur Kosovën. Por, autoritetet e Beogradit, pretendojnë se tashmë kanë arritur të sigurojnë tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga 15 shtete.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se tërheqja e njohjeve të Kosovës, është proces i pandalshëm dhe se synon që numrin e njohjeve ta zbresë nën gjysmën e anëtareve të OKB-së. Sipas tij, kjo do t’ia siguronte Serbisë “një pozitë më të mirë në bisedimet mbi të ardhmen e Kosovës”./VOA

Delta
LAJMET

Të ngjashme

AZHBR
UKT
UKT
Doktori