Ekipet e shpëtimit nxorrën një bebe 11-muajshe të gjallë nga rrënojat e një blloku apartamentesh që u shkatërrua si pasojë e një shpërthimi të hënën, në qytetin rus të Magnitogorsk. Sipas agjencisë së lajmeve Tass, foshnja është në gjendje kritike dhe u dërgua në spital.

8 trupa të pajetë janë gjetur deri më tani nga rrënojat e ndërtesës, ndërsa autoritetet i druhen faktit se numri i viktimave mund të rritet. Zyrtarët në rajonin e Urals thanë se shkak i shpërthimit është bërë rrjedhja e gazit. Deri më tani rreth 36 persona rezultojnë të zhdukur. Ndërkohë ekipet e shpëtimit ndaluan kërkimet e tyre për të mbijetuar, derisa ndërtesa të mund të jetë e sigurt, gjë e cila mund të kërkojë deri në 24 orë kohë.

Kërkimet vështirësohen edhe më shumë për shkak të temperaturave të ulëta, të cilat janë -17 gjatë ditës dhe bien edhe më shumë natën.

Ndërtesa në fjalë ishte shtëpi për 120 persona dhe nga shpërthimi u shkatërruan 48 apartamente. Nga vendngjarja janë shpëtuar të paktën 16 persona, përfshirë 7 fëmijë. Zyrtarët thanë se nga këta, 5 u dërguan në spital për ndihmë mjekësore, për shkak të plagëve të marra.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 06:02 minuta me orën lokale dhe besohet se nisi në katin e parë, duke bërë kështu që e gjithë ndërtesa të rrëzohej. Për këtë fatkeqësi autoritetet ruse mësohet se kanë hapur një hetim kriminal. Qyteti i Magnitogorsk ndodhet rreth 1 695 kilometra në lindje të Moskës.

/tvklan.al