Situata paraqitet problematikë në Majën e Zezë në Pukë dhe në fshatrat Domgjon dhe Munelle

Vendi ynë nuk po gjen paqe nga zjarret. Prej një muaj shumë territore të vendit kanë vatra aktive zjarri duke sjellë dëme kolosale në pyjet për shkak të mijëra hektarëve të djegur.

Sipas përditësimit të emergjencave civile, vatrat aktive të zjarrit janë shtuar, pasi kemi 11 vatra aktive në 5 qarqe të vendit. Shqetësuese është zjarri në Majën e Rrunës. Në terren është helikopteri holandez dhe 30 FA. Situata paraqitet problematike në Majën e Zezë pranë Bashkisë Pukë.

Problematike është zjarri në fshatin Lundre, njësia administrative Ulëz. Gjatë mbrëmjes zjarri është përhapur për shkak të erës. Aktualisht po punon helikopteri holandez, si dhe zjarrfikësit e bashkisë dhe punonjësit e shërbimit pyjor.

Në qarkun Shkodër janë tre vatra aktive, në fshatin Flet, në fshatin Srriqe dhe në Malin e Tërbunit, ku vazhdon puna për shuarjen e vatrave, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Edhe qarku i Lezhës ka tre vatra aktive, në Thirrë të Mirditës, në fshatin Domgjon dhe Munellë, si dhe në fshatin Katund i Vjetër, njësia administrative Rubik. Në këto vatra vijon puna për shuarjen e vatrave në terren.

Vatër e re zjarri është ajo në Malin Çipin të fshatit Mesaplik në Vlorë, sipas emergjencave nuk ka rrezik në banesë. Si dhe një vatër zjarri është në qarkun e Tiranës, në fshatin Mengël, në terren veç zjarrfikësve janë dhe 40 FA. Po punohet për të shmangur që flakët t’u afrohen banesave.

 Klan News